Home LAJME Debat i "sertë" në Vushtrri

Emisioni i sotëm “Jeta në Komunë”, që transmetohet në RTV21, kishte të ftuar kandidatët për kryetar të Komunës së Vushtrrisë. Në këtë debat të ftuar ishin: Bajram Mulaku nga PDK-ja, Refik Ramaj nga LDK-ja, Xhemajl Pllana nga VV-ja, Muharrem Shabani nga AAK-ja, Remzi Selimi nga LB-ja dhe Abdullah Klinaku nga PD-ja.

Për dallim prej netëve të kaluara, në sallën ku u mbajnë ky emision nuk kishte publik. Jeta Xharra, moderatore e emisionit, tregoi se kanë një marrëveshje me Policinë e Kosovës për të bërë sigurimin e sallës.

Qysh në fillim të emisionit pati akuza dhe kundërakuza ndërmjet kundërkandidatëve. Me një rast Muharrem Shabani tha se para se të kandidojë për këtë mandat, PDK-ja ia ka ofruar mundësinë që t’i jepet një pozitë e lartë në Qeverinë e Kosovës, me qëllim që mos kandidojë në Vushtrri.

“Mirëpo unë këtë propozim të tyre nuk e kam pranuar”, tha Shabani, transmeton portali Veriu.

Drejtuesja e emisionit e ka akuzuar kandidatin e PD-së se çdo ditë udhëton nga Ministria e Shëndetësisë deri në Vushtrri me veturë të qeverisë dhe në këtë mënyrë krijon shpenzime të mëdha.

“Është e vërtetë se unë nganjëherë udhëtoj me veturë zyrtare, sepse mbaj dy pozita dhe angazhimet në punë e kërkojnë këtë. Mirëpo, ka raste kur udhëtoj edhe pa veturë zyrtare”, është përgjigjur Klinaku.

Jeta Xharra e ka pyetur kryetarin aktual të Komunës, se “a ka lezet kandidimi, kur kihet parasysh se ka aktakuzë të ngritur bashkë me disa zyrtarë të tjerë të PDK-së”. Në përgjigjen e tij Mulaku ka thënë se nuk ka lezet, mirëpo ai, sikurse edhe më parë, është zotuar se do të jap dorëheqje nëse del fajtor.

“Jam i bindur se jam i pafajshëm dhe për këtë as avokat nuk kam marrë”, ka thënë Mulaku.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhemajl Pllana, ka thënë se e ka lënë PDK-në për shkaqe parimore, ndërsa ka drejtuar akuza për korrupsion gjatë mandatit të kaluar. Pllana ka akuzuar qeverinë aktuale se ka bërë degradimin e tokave.

Ndaj kësaj akuze ka reaguar kryetari aktual Bajram Mulaku, i cili ka thënë se për mbrojtjen e tokave nuk janë të favorshme ligjet aktuale. Mulaku ka premtuar se në verën e vitit të ardhshëm të gjithë qytetarët e Vushtrrisë do kenë ujë të pijes, duke treguar se punimet në fabrikën e ujit janë në përfundim dhe se plani parasheh që ato të përfundojnë në fund të këtij viti.

Në këtë debat ka pasur akuza të rënda edhe ndërmjet kandidatëve që vijnë nga partitë opozitare. Në një rast, kandidati i LDK-së, Refik Ramaj, e ka akuzuar Muharrem Shabanin se gjatë qeverisjes së tij e ka kontrabanduar pushtetin prej LDK-së në PDK dhe se ka qenë i udhëhequr nga parapolitika.

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim, Remzi Selimi, ka thënë se çështja e mungesës së furnizimit me ujë të pijes nuk mund të zgjidhet vetëm me ndërtimin e fabrikës së ujit, sepse nuk do të jetë i mjaftueshëm. Ai ka dhënë premtime edhe për rininë, me ç’rast ka theksuar se do të krijohen salla të reja në bibliotekë dhe se do të krijohen kushte më të mira në stadiume për sportistët, por edhe të rinjtë në përgjithësi.