Home SPORT De Biasi jep premtimin më të çmendur: Ja çfarë bëj nëse fitoj...

beasi-750x430

Quhet “Il Cammino Di Santiago” (Rrugëtimi i Santiagos) dhe përfaqëson një nga ritet e pelegrinazhit fetar më të famshme dhe njëkohësisht më të lodhshme në botë. Një rrugëtim në këmbë prej rreth 800 kilometrash, që nga vargmalet Pirenej deri në qytetin e Santiago De Kompostela në krahinën e Galicisë në Francë.

Xhani De Biazi është gati ta bëjë një rrugëtim të tillë, ose të paktën pjesërisht, nëse kuqezinjtë që ai drejton dalin me tri pikë nga stadiumi “Renzo Barbera” i Palermos ditën e premte.

Tekniku e ka bërë këtë premtim në studiot e rrjetit televiziv italian “Sky Sport”, gjatë një interviste në të cilën ka folur edhe për shanset e Shqipërisë në ndeshjen kundër Italisë. “Nëse Shqipëria mund Italinë, De Biazi është gati të bëjë Rrugëtimin e Santiagos thuajse plotësisht”, ishte premtimi i trajnerit të kuqezinjve para kamerave të televizionit italian.

Në këtë intervistë, De Biazi ka analizuar edhe atë që e pret në fushë në Palermo, ku sigurisht nuk parashikon një ndeshje të lehtë. “Nga Italia e Kontes, te ajo e Venturës, sigurisht kanë ndryshuar lojtarët të cilët sipas meje po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme në kampionatin italian. Është katërshja e sulmit apo edhe lojtarë që luajnë jashtë si Verrati i cili po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Kampionati italian ka nxjerrë në pah të rinj interesante, që mund t’i japin vazhdimësi punës së Venturës. Me lojtarë në gjendjen e Italisë, për në bëhet e vështirë. Italia ka një objektiv të vetëm, fitoren, për të qëndruar në krye me Spanjën. Ndaj ajo duhet të fitojë medoemos dhe kjo mund të jetë një peshë më shumë për ata.

Për ne, cilido rezultat është i mirë, mjafton që skuadra ime të bëjë një ndeshje me inteligjence taktike e krenarie si dhe të tregojë në fushë zemrën si zakonisht”, deklaroi De Biazi. / panorama sport