Home LIFESTYLE Çfarë po ndodh me Partinë Demokratike?

Nga Artan Fuga

Për rreth dy vjet kam kuptuar shumë mirë se cila është përmbajtja e projektligjit për arsimin e lartë që është vendosur të kalojë të martën në Kuvend, në bashkëpunim tashmë të vendosur pas perdeve të skenës të teatrit politik, mes mjaft deputetësh të dy krahëve poltike. Nuk mund të jemi naivë. Zaret janë hedhur.

Por, asnjëherë nuk kam kuptuar se cili ka qenë qëndrimi politik i PD-së, opozitës së sotme, sikurse e ka statusin formalisht, lidhur me këtë projekt-ligj. Deri sot, 48 orë përpara votimit, ende nuk ka një vendim politik zyrtar të shpallur në mënyre unanime. Kryetari i PD-së, megjithë verbin e tij ekselent politik, zoti Basha, ka heshtur tërë kohën. Por, gjithsesi ka vend se paku të revoltohet bashkë me ne që paratë e studentëve të shkojnë për fushata elektorale, apo jo? Pothuajse kanë heshtur edhe ish-ministrat demokratë, megjithë respektin personal të sinqertë dhe të pastër që kam për ta. Kanë heshtur, as kanë thënë jemi dakord, sepse nuk mundën ta bëjnë këtë si duket, as nuk thonë nuk jemi dakord sepse nuk munden. Të shkojne në mal i ha arusha, të rrinë në shtëpi i rreh gruaja, thotë një fjalë e urtë popullore.

Dje në darkë lexoja subtitrat e lajmeve flash, ku jepeshin disa deklarime as mish as peshk ardhur nga zoti Myqerem Tafaj, miku im i nderuar dhe shumë i respektuar, si deputet i PD-së, shpresoj të redaktuara keq dhe rrumbullakosur nga gazetari dhe jo nga pena e tij sqimatare dhe e hollë. Projektligji, thoshte, p.sh. miku im, prek admninistrimin e Universiteteve. E imagjinoni çfarë deklarimesh politike i kanë vendosur në gojë?!

“Prek”? Hajde kuptoje se çfarë do të thotë, të kam rixha. Prek është edhe kur e përkëdhel dikë, edhe kur e mban për krahu një të moshuar, edhe kur dikush bën dashuri me një tjetër, edhe kur e godet me shuplakë, e kështu me radhe. Kur i foluri politik shprehet me metafora, dijeni se është në ngërç dhe në hall. Ka rregulla për këtë që ne profesionistët e komunikimit i kuptojmë qysh kur dikush hap gojën për të thënë rrokjen e parë. Veç deklarimeve të z. Luçiano Boçi, të forta dhe të qarta, por pa tagër të një deklarimi zyrtar politik, të gjitha qëndrimet e tjera i ngjajnë një varke që luhatet mes dallgësh pa ditur se çfarë bëhet me timonin e komandimit.

Edhe në seancën e fundit në Kuvend, pati anashkalim të objektit të vërtetë të debatit. Debati rrëshqiti nga një debat normativ për ligjin, në një seancë thuajse dëgjimore për gjendjen e arsimit të lartë të zonjës ministre të arsimit dhe sporteve. Deputetë që mungonin në sallë a thua se kanë marrë ndonjë fletë kampi bashkimesh profesionale për të pushuar në Razëm a diku andej nga plazhi i Durrësit, pirë ujë me xixa, akull të ftohtë dhe freskues në këto ditë vape me plas. Si duket PD-ja ende nuk e kuptuar profesionalisht se ku qëndron problemi i projektligjit, ende nuk e ka kuptuar se është një tekst i denjë për vitin 1976.

Duket ashiqare se PD-ja, deri tani, nuk do, ose nuk mundet, që të mbajë qëndrim të qartë.

Punë e saj, sigurisht, jo e jona, por si qytetarë e universitarë kemi nevojë edhe për qeverinë edhe për opozitën. Nëse njëra nga të dyja mungojnë, ose të dyja njëkohësisht, atëherë ne si intelektualë, sikurse edhe kombi, nuk kemi asnjë të mirë. Por të mos thonë pastaj se fajin e kanë votuesit e saj, kushdo që ata janë, që nuk e votojnë…Punë e tyre. Përse ky qëndrim as mish as peshk, që në fakt dhe objektivisht është një mbështetje e heshtur dhe e tërthortë e projektligjit që po ecën përpara si ujët e Lanës në një ditë me re në Dajt? Ose sepse edhe deputetë të saj janë nën influenca dashakeqe për arsimin publik. Ose sepse figura të rëndësishme politike atje kanë lidhje të shkurtra me sektorin privat të arsimit.

Ose sepse kanë borxhe të vjetra për të larë që tani ua kërkojnë me shantazhe të ndryshme. Ose sepse deputetët janë të përçarë lidhur me këtë çështje, a me të tjera, dhe lidershipi i mban në anije duke e lënë atë të lëkundet mes dallgëve si e vetmja mënyrë për të mos e mbytur anijen. Ose sepse vetë konceptet e drejtuesve të PD-së janë në mbështetje të projektligjit, e drejta e tyre, por nuk e shprehin dot hapur nisur nga imazhi i keq që ky projekligj ka në mjediset universitare ku çdo mbështetje e tij do t’i bjerrte edhe ata mbështetës që janë. Ose nuk e di çfarë të them. Por, nëse PD-së do t’i degjenerohej një event deklarimi i fortë politik pro ose kundër ligjit, punë e saj, në një tryezë OJF-iste debati midis atyre që janë “pro” dhe “kundër”, atëherë kjo do të kishte qenë kulmi i hipokrizisë politike dhe bjerrja përfundimtare e influencës të saj politike në rrethet universitare.

Do të kishte qenë edhe zhgënjimi përfundimtar i të gjithë zërave që pa asnjë ngjyrim politik, larg partive politike, me sinqeritet dhe patriotizëm, duke iu përgjigjur ndërgjegjes së tyre profesionale, kanë dy vjet që përpiqen të reformojnë sistemin universitar duke e mbrojtur nga qëllime të ulëta meskine ardhur nga qendra që të gjithë i dinë se kush janë e gjenden, pothuajse, kudo.