Home LAJME Çfarë duhet të bëjë Lëvizja Politike ‘Besa’ për shqiptarët sipas analistëve?

Analistët politik vlerësojnë se paraqitja në skenë e Lëvizjes BESA, pritet ta ndryshojë spektrin politik në Maqedoni. Sipas tyre, dalja në skenë e këtij subjekti, te shqiptarët pritet të sjellë një frymë të re në perceptimin e politikës dhe zhvillimeve tjera shoqërore. Por, gjithsesi nuk mungojnë edhe vlerësimet e tyre se BESA duhet të jetë e kujdesshme për të mos i bërë gabimet që i kanë bërë partitë tjera shqiptare të themeluara në sistemin shumëpartiak. Ata gjithashtu e vënë theksin në aktivitetet konstante që kjo lëvizje duhet t’i ketë në terren, në mënyrë që të arrijë sukses në skenën politike.

Analisti dhe publicisti Isen Saliu njëherësh edhe kryeredaktor i Gazetës LAJM, shprehet se paraqitja e lëvizjes BESA nuk është vetëm ringjallje e besimit të shqiptarëve të Maqedonisë për ndryshim pozitiv të gjendjes, por edhe shpresë se strukturat më të shëndosha intelektuale dhe rinore do të marrin në dorë fatin e shqiptarëve.

“Kjo është domethënia kryesore e paraqitjes së kësaj lëvizje në skenë, që jep bazë për të shpresuar për një kthesë mjaft pozitive në skenën politike shqiptare dhe në gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Për të pasur sukses në skenën politike, BESA duhet të tregohet besnike. Nëse i përmbahet me besnikëri parimeve themelore të shprehura përmes tri ‘A’-ve : Autoktone, Autentike, Autonome, besoj që suksesi do të jetë i garantuar”, deklaroi Saliu për Shenja.

Ai gjithashtu theksoi se besnikërinë ndaj këtyre parimeve Lëvizja BESA duhet ta dëshmojë me aktivitet konstant dhe konkret në terren.

“Kjo nënkupton se Lëvizja BESA duhet të jetë pranë shqiptarëve për t’i mbrojtur nga helmimi prej tymit të pafiltruar të fabrikave që punësojnë vetëm maqedonas, të jetë pranë shqiptarëve për të penguar maltretimin e tyre nga forca speciale policore në aksione rutinë të DAP-it, të jetë pranë të rinjve shqiptarë dhe t’i mbrojë atëherë kur keqtrajtohen nga huliganë maqedonas nëpër autobusë urbanë. BESA duhet të ofrojë koncept të qartë se si do të ndërpresë dukurinë që për çdo vit të punësohen nga 10-20 mijë maqedonas në njërën anë, e vetëm nga 200- 300 shqiptarë në anën tjetër. Për të pasur sukses në politikë BESA duhet të kundërshtojë fuqimisht praktikën e ndarjes së 3-4 për qind të mjeteve buxhetore për infrastrukturën, kulturën, arsimin, bujqësinë shqiptare dhe të ofrojë program të qartë dhe konkret se si do të marrim 25 ose 30 përqindëshin që na takon. Mirëpo në parimet për drejtësi BESA, nuk duhet të insistojë vetëm kur janë në pyetje shqiptarët, por për të gjithë qytetarët që u cenohet ndonjë e drejtë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare”, përfundoi Saliu.

Publicisti Admir Qose, redaktor në TV Alsat M nga ana tjetër shprehet se Lëvizja BESA është dhe duhet të jetë risi për skenën politike, veçanërisht në bllokun shqiptar.

“Pavarësisht se sistemi politik e ai zgjedhor në Maqedoni i ngushton hapësirat për të pasur më shumë forca politike, jam më se i sigurt se klasa politike në radhët e shqiptarëve ka nevojë për shkundje. Lëvizja Besa mund ta arrijë këtë gjë, së pari, falë kushteve që ekzistojnë aktualisht, gjendjes së ngrirë të forcave ekzistuese politike, të cilat në një farë mënyre i kanë krijuar kushte ‘mirëmbajtjeje’ njëra-tjetrës – një palëvizshmëri që vazhdon prej vitesh – por edhe për shkak të një faktori akoma më të rëndësishëm; BESA ka tubuar rreth vetes njerëz me një bagazh të lartë shkencor, moral e njerëzor. Pavarësisht se janë të rinj dhe pa eksperiencë në politikë, politik-bërja gjithnjë duhet të vijë nga njerëz që i kultivojnë këto dije dhe pasuri humane”, deklaroi Qose për Shenja.

Ai gjithashtu përkujtoi se kjo lëvizje duhet t’u japë zë njerëzve dhe shtresave të harruara, duhet t’i jep krahë sa më shumë dijes, arsimimit, të drejtave të shqiptarëve, por edhe etnive të tjera, si dhe të jetë shembull i vërtetimit se shqiptarët janë element shtet-formues, janë qytetarë që bartin të njëjtat vlera dhe vizion për shtetin e Maqedonisë.

I pyetur se cilat janë gabimet të cilat Lëvizja BESA nuk duhet t’i përsërisë, në mënyrë që të mos dështojë si partitë paraprake, Qose thotë se ky është subjekt i ri dhe se është herët për të skanuar gabime në veprimtarinë e saj.

“Përveç logos së saj, shpresoj që së shpejti të shikoj edhe flamurin partiak. Për hir të misionit tim jo vetëm si qytetar por edhe gazetar, uroj që BESA të mbajë fjalën për qëllimet për të cilën është krijuar”- përfundoi Qose.

Ndërkohë, njëri nga iniciatorët e themelimit të Lëvizjes “Besa” Afrim Gashi ka thënë se subjekti i ri i sapoformuar tek shqiptarët është kërcënim politik për dy partitë shqiptare BDI e PDSH. Ai në bisedën për “Utrinski vesnik” ka thënë se synimi i Lëvizjes është zgjidhja e problemeve ekonomike.

“Disa vite me radhë funksionon binomi i dy partive shqiptare në Maqedoni- janë marrë vesh të betonojnë pozicionet e tyre dhe çdo opsion të tretë ta presin në thikë derisa nuk e eleminojnë, si edhe kanë bërë me parti të tjera. Shqiptarët u vetëdijësuan për këtë lojë politike dhe kjo më nuk do u ketë sukses. Lëvizja ‘Besa’ është kërcënim serioz për këtë ‘tango politike’ mes BDI e PDSH, ndaj edhe nisma jonë ishte pritur në thikë”, ka thënë Gashi.

“Ne jemi të bindur se ekziston hapësirë politike për etablimin e një subjekti të ri politik. Shifrat madje tregojnë se rreth 50 përqind e shqiptarëve nuk marrin pjesë në zgjedhje mu për shkak të josekizstimit të alternativës tek shqiptarët. Ne nuk do të merremi me ta, pasi shqiptarëve u është bërë e qartë se kush janë. Neve na mbetet të dëshmohemi se kush jemi dhe çfarë ofrojmë”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi, në pyetjen se se finansohet kjo Lëvizje Politike ka sqaruar, – “Lëvija ‘Besa’ së shpejti do të regjistrohet edhe si subjekt politikë, dhe më pas të gjitha të dhënat rreth punës dhe finansimit partiak do ti dorëzohen organeve shtetërore, por edhe palëve të interesuara. Kur bëhet fjalë për finansimin e kësaj lëvizje, ne i kemi katër forma: njëra është përmes anëtarësisë, e dyta në bazë të kapaciteteve tona ekonomike në kuptimin e biznesmenëve që i kemi afër nesh, më pas nga donatorët vendas, si dhe nga diaspora shqiptare.

Lëvizja BESA zyrtarisht u promovua 22 Nëntor. Drejtuesit e saj bëjnë të ditur se Kongresi i Parë i Partisë do të mbahet brenda 6 muajve të ardhshëm kur edhe do të zgjidhen organet partiake, mes tyre edhe lideri./Almakos