Home LAJME Çeku-Xhaferi: Jo "Jugosllavisë së Re"

Ideja e Malit të Zi për të formuar të ashtuquajturën gjashtëshe të Ballkanit Perëndimor, apo Jugosllavia e re, nuk do të përkrahet nga Kosova, por as nuk do të diskutohet në takimin e Ministrave të Mbrojtjes në Bërdo të Sllovenisë. Kështu, thanë Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë Talat Xhaferi dhe Ministri i FSK-së, Agim Çeku, gjatë një takimi që kanë pasur sot në Shkup.

Xhaferi ka thënë se ai nuk ka informacion se Mali i Zi do të iniciojë një gjë të tillë për faktin se Mali i Zi aktualisht kryeson kartën e Adriatikut dhe kjo temë në asnjë rast nuk është kompetencë e Ministrive të Mbrojtjes për ta diskutuar.

Ndërsa Ministri Agim Çeku ka thënë se Kosova është për të bashkëpunuar me secilin vend të rajonit, pasi është në interesin e saj dhe shteteve tjera por gjithmonë duke e ruajtur territorin dhe subjektivitetin e saj dhe të shteteve të tjera.

Propozimi i Malit të Zi për të krijuar një bashkim të vendeve ballkanike, që do të ishte një lloj rikrijimi i ish-Jugosllavisë me Shqipërinë brenda, ka ngjallur një vëmendje të madhe publike në vend.