Home LAJME Çeku: Do t’i japim fund kaosit në Prishtinë

Prishtina sot ndodhet në një gjendje kaotike, si në sferën e zhvillimit, ashtu edhe në atë të urbanizmit. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Çeku, sot në një takim me arkitektë, ka thënë se me të ardhur në krye të komunës, do të fillojë me implementimin e planit të tij zhvillimor dhe urbanistik, i cili do bëjë që kryeqyteti të transformohet dhe të frymojë lirshëm.

Për ta ilustruar gjendjen aktuale në Prishtinë, Çeku ka thënë se në pikun e trafikut, sot një automjeti për të kaluar qarkoren e qytetit i duhen 1 orë 45 minuta, trajektore kjo, e cila në kushte normale do duhej të kalohej jo më shumë se për 25 minuta kohë.

Ai tha se PDK-ja ka vizion shumë të qartë sesi do të ndërtohet Prishtina dhe si do të vihet në kontroll kaosi urbanistik që po mbizotëron sot, nën qeverisjen e Isa Mustafës.

Për ta vënë në jetë këtë projekt, ai ka thënë se do të bashkëpunojë me arkitektët më të mirë, të cilët sipas tij, nuk është fare vështirë të gjenden në Kosovë.

“Transformimin e Prishtinës mund ta bëjmë vetëm atëherë kur të bashkohen fuqia e vullnetit politik me fuqinë e ideve dhe dijes suaj intelektuale”, ka thënë Çeku para arkitektëve.

Çeku ka paraqitur në detaje projektin e tij dhe ka treguar se parasheh që t’i ndërtojë tri parkingje të mëdha nëntokësore, në tri pjesë të ndryshme në qendër të Prishtinës.

Ndërsa, si formë tjetër lehtësuese të qarkullimit, ai ka treguar se do të bëjnë edhe ndërtimin e një linje të tramvajit, e cila do ta përshkojë Prishtinën fund e krye. Orientimi me plan i rrugëve, sipas kandidatit Çeku, do t’i jepte mundësi edhe zhvillimit urbanistik, pasi që do të krijoheshin mundësi për zgjerimin e hapësirave për këmbësorë edhe në qendër të qytetit.

Ai ka thënë se me planin e tij, parasheh edhe mbylljen e rrugës nga katedralja deri te hoteli “Grand” dhe në këtë pjesë do të ndërtojë sheshin më të madh të Prishtinës.