Home LAJME Buxheti 2015, Gjobimi masiv dhe represioni fiskal!

Ajo që e karakterizon këtë buxhet, që nuk dallon shumë nga paraprakët, është kontinuiteti i intensitetit rritës së të ardhurave të bazuara në gjoba, nga 30 në rreth 40 milionë euro! Nuk dua të ironizoj me çështjen, por kjo “filozofi” e qeverisjes më shumë është tragjedi sesa komedi.

Në përputhje me kalendarin fiskal qeveria me saktësi “zvicerane” në fillim të tetorit e miratoi propozim-buxhetin e vitit 2015, pra vetëm disa javë pasi që e miratoi edhe rishikimin e buxhetit 2014, kur deputetet shqiptarë pa asnjë efekt u “përllogaritën” fizikisht midis vete pa hanxhiun. Megjithatë, shtjellimi i kësaj problematike meriton më shumë se një analizë reviste, por kjo më shumë për efekte publike sesa për të bërë sensibilizimin e opinionit për çështjen më të rëndësishme në një shtet normal.

Ajo që e karakterizon këtë buxhet, që nuk dallon shumë nga paraprakët, është kontinuiteti i intensitetit rritës së të ardhurave të bazuara në gjoba, nga 30 në rreth 40 milionë euro! Nuk dua të ironizoj me çështjen, por kjo “filozofi” e qeverisjes më shumë është tragjedi sesa komedi. Një përmasë të këtillë relative do t’ia kishte zili edhe Kina! Përkthyer për kokë banori, ne rezultojmë populli më i gjobitur në Europë, por me siguri edhe më gjerë. Si të mos jemi kështu, kur niveli i gjobave e tejkalon logjikën elementare të krijimit të tyre. Kur për gomat e veturave me baltë duhet të paguajmë gjobë rreth 100 euro, për urinim përgjatë rrugës po ashtu 100 euro, për distanca më pak se 50m midis dy veturave 300 euro, e deri te tejkalimi i shpejtësisë përtej një kufiri të caktuar me gjobë prej 500 euro, gjithë kjo në kushte të rrogave mesatare prej rreth 330 eurosh! Këtë të fundit edhe mund ta kuptoj, edhe pse realizimi i rregullt është i pamundur, por ai selektiv është caku – ndoshta frika do “t’i ruajë vreshtat” në vend të rojtarit. Imagjinoni fshatrat (shqiptare) të Velesit, si p.sh. Jabollçishta, ose ato të Prilepit, si Cërnilishta, e të mos flasim për fshatrat kodrinore-malore, që kur do dalin edhe për nevojë ambulance nga rrugët përplot baltë, do duhet të ndalen t’i pastrojnë gomat, pa çka se pacienti është me dhimbje të padurueshme! Tragjikomedia qëndron në dualizmin e standardeve ekologjike – balta qenka më e rrezikshme se ndotja kancerogjene e Tetovës deri në 20-fishin e tolerancës dhe, për këtë, gjatë 4 viteve (2010-2013) ndotësve industrialë me superprofite të majme, u është shqiptuar dënim prej 103 mijë euro, kurse janë arkëtuar vetëm 3 mijë euro!!!

Në gjithë këtë mbetet karakteristika standarde e hiles fiskale në shpërndarjen e padrejtë territoriale. Kështu ministri aktual i Ekonomisë (si shumë paraardhës të tij në buxhetet e mëhershme) u ngut pak si shumë. Edhe pse nuk të do kishte dashur të bëjë krahasime të tilla, por mbasi opinioni e dëshiron, ai u lavdërua se territoreve shqiptare me projekte do t’ua kishte zili edhe VMRO-ja! Këtë logjikë do të kisha dashur ta cilësoja si komedi po të mos ishte tragjedi! Mbase e njëjta logjikë (“ekonomike”) kur e arsyetoi Ligjin e vazhdimit të pensionimit për 3 vjet, me pritshmëri për rritje të punësimit!

Atëherë, po ashtu për shkak të opinionit, ja po e prezantojmë vetëm një analizë të “përfitimit” të shqiptarëve, bile krahasimisht me maqedonasit, që në tabelën e parë të buxhetit. Në këtë tabelë që në fillim “verbohet” secili që e hap buxhetin, sepse në xhunglën fiskale prej mbi 400 faqesh edhe s’mund të orientohet çdokush – siç duket as ministrat! Hilet më të mëdha të xhunglës fiskale dalin në brendinë e saj. Blok-dotacionet nga buxheti qendror u destinohen komunave për të financuar arsimin fillor dhe të mesëm, kulturën, mbrojtjen e fëmijëve e pleqve, si dhe shërbimeve të zjarrfikësve. Nga gjithsej 14,25 miliardë den. blok-dotacione, 3,5 shkojnë për komunat me shumicë (dominuese) shqiptare ose rreth 24 %, që tingëllon shumë e përafërt me 25,17% sa jemi ne gjithsej (statistikisht). Nëse nga kjo përqindje do minusohet mesatarisht 1/3 (sa janë joshqiptarë nëpër këto komuna), atëherë rezulton neto financim rreth 16% (2/3) nga shuma totale. Edhe sikur t’i shtohet kësaj një përqindje shumë simbolike për disa fshatra shqiptare në komunat me shumicë maqedonase, që fare mirë e shohim çdo ditë se sa dhe në çfarë kushtesh zhvillohet mësimet atje, atëherë duket qartë sa hise marrim ne. Që të shkojmë edhe më në detaje të këtij destinimi buxhetor, për nga numri i nxënësve, që te komunat shqiptare mbetet parametri bazik dhe kryesor, shqiptarët rezultuan mbi 30%. Me këto krahasime relative rezulton që ne marrim afër gjysmën e hises sonë! Më tej, akoma në këtë tabelë, duket prej distance se vetëm komunat “urbane” (si Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova dhe Struga) thithin diçka për kulturë, mbrojtje të fëmijëve, pleqve dhe ndonjë cikërrimë për zjarrfikësit, kurse asnjë komunë shqiptare (bile etnikisht të pastra, si pHaraçina, Likova, Zhelina, Bogovina…etj.) nuk thithin asnjë denarë për kulturë ose mbrojtje fëmijësh e pleqsh, e të mos flasim për zjarrfikës! Kjo nuk do të ndodhë me disa nga komunat rurale pastër maqedonase, si Vallandova, Vinica, Rosomani ose Novosella, edhe pse jo të gjitha! Më tej, Karposhi, si komunë thithë 40 herë më shumë (83,7 milionë denar) sesa, fjala bie, Saraji (që merr vetëm 2,2 milionë denarë)! Që të jetë ironia edhe më e madhe, këtë ndarje të padrejtë (diskriminuese) para ca muajsh në “një distancë” prej SHBA-ve e vërejti edhe zonja Nuland, e cila po ashtu e theksoi kritik këtë padrejtësi fiskale, e cila së fundi erdhi edhe nga raporti i fundit i Komisionit të BE-së, kurse vetëm përpiluesit tanë në qeveri nuk e shohin këtë!

Të vazhdojmë me disa analiza të tjera krahasimore. Arsimi i lartë nga buxheti 2015 thithë rreth 2,2 miliardë denarë (afër 35 mil. euro) dhe shpërndahet:

“Kirili dhe Metodi” – Shkup 18,8 mil. euro “Kliment Ohridski” – Manastir 4,0 mil. euro

“Goce Delçev” – Shtip 4,5 mil. euro USHT – Tetovë 3,6 mil. euro

“Universiteti për IT” – Ohër 1,5 mil. euro UEJL – Tetovë 0,5 mil. euro

Un. Inxh. Inf.& – Ohër(ndërt.) 2,0 mil euro Fakulteti i Religjionit Ortodoks 0,2 mil. euro

Nga kjo kuptohet se gjithsej janë 35,1 mil. euro, nga të cilat shqiptarët marrin pjesë me rreth 12% (4,1mil. euro) pa i llogaritur edhe shpenzimet për standardin studentor dhe shkencë, ku janë rreth 20 mil. euro dhe shqiptarët mund të marrin pjesë me 2-3%!!!

Prandaj duhet të pyesin se për çfarë projektesh (shqiptare) flet ministri në promovimin e hisemarrjes? Për pjesën e hekurudhës nga Kumanova deri ne Beljakovc apo atë të pjesës së autostradës Kërçovë-Strugë-Ohër apo për atë Shkup-Bllacë! Nuk krahasohen mollët dhe dardhat! Janë krejtësisht gjëra të ndryshme. Së pari këto projekte nuk financohen nga Buxheti dhe aq më pak mund të jetë objekt krahasimi. Së dyti, në Korridorin 8-të janë ndërtuar 8 km. kurse në atë 10-të mbi 80 km! Pak para buxhetit 2015 e qeveria miratoi studimin e fizibilitetit për dhënie në koncesion të rrjetit për shpërndarjen e gazit, ku regjioni i Shkupit merr hise me 100 mil. euro, ai Lindor me 20-25 mil. euro dhe ai Perëndimor (të themi shqiptar) me vetëm 20 mil. euro dhe, mbi të gjitha, kjo do jetë në prioritet të fundit të dinamikës së realizimit. Ja edhe kjo matematikë e thjeshtë: nga gjithsej 145 milionë, me sa merr pjesë 20-sha? Me vetëm 13,8%! Së treti, këto projekte janë të karakterit futuristik dhe tash e sa vite i “zhagisim” në Planet e Investimeve Publike (PIP). Edhe shumë ministra do bëhen “ish” derisa këto të realizohen. Dhëntë Zoti ta kem pasur gabim!

Një aspekt tjetër i dimensionit ekonomik të Buxhetit 2015, si gjithmonë aq shumë të promovuar nga ministri i Financave, është Agjencia për Përkrahje Financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Aty janë alokuar 8,5 miliardë denarë (ose 139 mil. euro!). Ministri i promovon si subvencione bujqësore, ndërkohë që 28 mil. euro prej tyre janë subvencione “kapitale” për ndërmarrje dhe OJQ të ndryshme, që alokohen si shpenzime kapitale. Këto dhe paradokse të tjera “ekonomike” në xhunglën fiskale për vitin 2015, e kanë sjellë vendin në nivelin afrikan të rangimit me Indeksin e transparencës fiskale, duke rënë niveli për rreth 20 vende vetëm në dy vitet e fundit të rangimit! Niveli afrikan, fatkeqësisht, nuk është metaforë në këtë shtjellim, por Maqedonia në këtë rangim hyri në klubin e vendeve, si Angola e Zimbabveja! Në gjithë regjionin ne definitivisht jemi më poshtë se të gjithë – Bullgaria në pozitën e 65-të, BeH në vendin e 50-të, Shqipëria në vendin e 47-të, Serbia në vendin e 39-të dhe Maqedonia në vendin e 35-të!

Aspektit social të buxhetit “djathtist” do t’ia kishte lakmi edhe Koreja e Veriut. Afër gjysma e buxhetit (1,4 miliardë euro nga gjithsej 2,95) destinohen për aspektet direkte sociale të buxhetit, duke përfshirë këtu edhe kontributet e fondeve sociale (atij të pensioneve dhe shëndetësisë). Këtu nuk janë kalkuluar shlyerjet e imponueshme të borxheve të shtresave sociale ndaj kompanive dhe bankave (pastër private)! Asnjë qeveri e deritanishme, përfshirë edhe ato më majtiste (të socialdemokratëve), nuk kanë mbajtur kaq shumë llogari për dimensionin social të buxhetit, si kjo e VMRO/BDI-së!

Kush nuk e ka kuptuar akoma se ku qëndron inxhinjeringu kryesor i suksesit elektoral të këtij binomi politik, ja edhe njëherë po ua konfirmoj troç dhe shqip – te buxheti, fondet publike dhe ndërmarrjet publike (shtetërore). Vetëm te këto të fundit (pa ndërmarrjet publike lokale dhe pa entet publike rregullatore), janë të punësuar mbi 15 mijë punëtorë, që në vitin e kaluar afarist (2013) shënuan humbje rreth 20 mil. Euro, që ishte trefish më e lartë se ato të vitit paraprak (2012). Ja çfarë “menaxheri i holdingut” qeveritar është kryeministri me ekipin e tij. Herën tjetër për këtë segment me detajisht do ta shtjellojmë situatën. Prandaj Brukseli, në raportin e fundit, ngre alarmin për raportin e partisë dhe shtetit, por edhe atyre u është kujtuar shumë vonë. Ata e kanë “paketuar” brengën me këtë kualifikim – “politika ekonomike dhe qeverisja me financat publike janë udhëhequr me motive ad-hock në vend të nevojave afatgjate ekonomike”! Ishte viti 2009 kur ne pa ekuivoke diplomatike, si “fjalori i Brukselit” alarmuam për këtë fenomen të “falsifikimit të ekonomisë” përmes politikave ekonomike karshi cikleve politike në vend të atyre ekonomike.

Prandaj të gjithë ekonomistëve në qeverinë aktuale, me në krye shefin e tyre, ua kemi lakmi për këtë alkimi!