Home LIFESTYLE Burim Kukeli “u bën konkurrencë” Canës e Mavrajt në mbrojtje

Burim Kukeli ndeshjen e parë të edicionit 2015-2016 të Zvicrës me fanellën e skuadrës së tij Zuerich, e nisi si qendërmbrojtës.

Ai u paraqit në qendër të mbrojtjes në ndeshjen që Zuerichu barazoi 1:1 kundër Young Boys. Por, pozita natyrale e Kukelit është mesfushor i qendrës. Megjithatë, 31-vjeçari thotë se dallimi është shumë i vogël.

“Kam luajtur edhe më herët, por pozita ime është në mesfushë. Nuk ka dallim, pasi nëse mundesh të luash në qendër të mesfushës atëherë mund të luash pa problem edhe në qendër të mbrojtjes. Mendoj se trajneri është ndarë i kënaqur me punën që kam bërë. Kemi bërë një lojë të mirë si ekip dhe merituam të fitojmë”, ka thënë Kukeli të dielën për gazetën.

Kukeli nuk e di nëse trajneri i tij do të vazhdojë ta angazhojë në pozitën e mbrojtësit apo ta kthejë në rolin e viteve të kaluara si mesfushor defensiv. Por, ai shton se është i gatshëm të luajë edhe si qendërmbrojtës. I gatshëm të luajë në pozitën e qendërmbrojtësit është edhe për kombëtaren e Shqipërisë, pozitë të cilën e mbulon dyshja Lorik Cana e Mërgim Mavraj.

“Për pozitën time e di trajneri më së miri. Për mua nuk ka rëndësi, pasi të dyja pozitat i luaj me dëshirë. Edhe në kombëtare vendos trajneri se në cilën pozitë mund ta ndihmoj ekipin”, ka theksuar Kukeli. “Unë jam i gatshëm të luaj kudo”.