Home LAJME Bllokohen 850 mijë euro “të dyshimta”, infermieri belg: Ia nisa të dashurës...

largea_101216114-stacks_oh_euro_bank_notes-1910x10001428696811

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e një llogarie bankare prej 850 mijë eurosh, në emër të Rovena Kalemit dhe të njohurit të saj, Bledar Coraj, pasi “pronarët” e saj nuk justifikojnë burimin e të ardhurave. Nga hetimet rezulton shtetasi belg, Eric Nyssens, me profesion infermier në Bruksel, i cili pretendon se ka bashkëjetuar disa kohë dhe Rovena Kalemin, i ka kaluar paratë në llogarinë e saj, me qëllim që ajo të blinte një shtëpi dhe të hapte një biznes. Nyssens u tha hetuesve se kishte planifikuar të martohej me Kalemin dhe se paratë i kishte të trashëguara nga prindërit, por nuk ka sjellë dokumentet për ta provuar një fakt të tillë, çka bindur hetuesit se milionat “burojnë” nga ndonjë aktivitet i paligjshëm.

DOSJA E PROKURORISË

Në dosjen e prokurorisë thuhet se shuma prej 850 mijë eurosh ka kaluar në llogarinë bankare të Kalemit nga shtetasi belg, Eric Nyssens, me profesion infermier në Bruksel. Nga hetimi rezulton se këta dy persona nuk e justifikojnë burimin e kësaj shume parash, ndonëse belgu këmbëngul se pasurinë e ka të trashëguar nga prindërit e tij, por nuk ka mundur të sjellë asnjë material që ta vërtetojë një fakt të tillë. Hetimi për rastin në fjalë nisi nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila është struktura përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”, pas një informacioni të marrë nga Prokuroria e Durrësit, se në llogaritë e shtetasve shqiptarë Kalemi dhe Cokaj, gjatë vitit 2014 janë kryer disa transferta, të cilat shkonin mbi 1 milion euro. Sapo është marrë ky informacion, Prokuroria e Durrësit ka marrë miratimin në gjykatë për sekuestron paraprake, pasi kjo shumë parash kishte burim të dyshimtë në momentin e parë. Në momentin e vendosjes së sekuestros, rezultoi se Kalemi ka tërhequr rreth 300 mijë euro dhe në llogaritë e saj gjendeshin rreth 850 mijë euro, të cilat u bllokuan.

“JUSTIFIKIMI” I KALEMIT

Pas vendosjes së sekuestros së shumave bankare në bankë, në Prokurorinë e Durrësit, në datat 05.11.2014 dhe 06.11.2014 janë paraqitur Rovena Kalemi dhe shtetasi belg Eric Marie Nyssens, të cilët kanë dhënë deklarime lidhur me rastin e transfertave në fjalë. Të dy këta shtetas kanë pohuar se janë bashkëjetues me njëritjetrin në një banesë në Bruksel dhe se më datë 07.11.2014 do të martohen në Zyrën e Gjendjes Civile, Komuna Xhafzotaj, Shqipëri. Ata kanë shpjeguar se njihen midis tyre që prej një viti dhe arsyeja e transfertave nga Eric drejt shtetases Rovena Kalemi ka qenë pikërisht për faktin e bashkëjetesës midis tyre dhe me qëllim të blerjes nga Rovena të një shtëpie të mirë dhe hapur një biznes si restorant apo ndonjë supermarket.

Të pyetur në lidhje me faktin e sigurimit të shumave të tilla, ata kanë shpjeguar se Eriku i ka përfituar nga shitja e aksioneve që ai ka pasur në disa shoqëri në Bruksel, të cilat kanë si objekt veprimtarie– telekomunikacionin, supermarket, farmaci, etj. Këto aksione shtetasi Erik i ka trashëguar nga prindërit e tij. Eric Nyssens ka shpjeguar gjithashtu se ai është në profesion infermier pranë azilit të pleqve që quajtur “Home Saint Joseph” me adresë në Bruksel. Në lidhje me transfertën prej 465,000 eurosh të bërë nga shetasi belg, Eric Nyssens drejt Rovena Kalemit nëpërmjet Bledar Corajt, vetë Kalemi ka shpjeguar se është bërë për shkak se nuk kishte llogari të hapur. Kalemi pretendon se Bledar Corajn e ka shokun e ish-të dashurit të saj që nuk jeton me.

DOKUMENTET E TRANSFERTAVE

Në dosje thuhet se për të justifikuar burimin e pasurive, Eric Nyssens, nëpërmjet një avokati ka paraqitur në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës një kopje të dokumentit që tregon transfertën e kryer më datë 07.08.2014 nga llogaria e tij në Belgjikë drejt llogarisë së Bledar Corajt në Shqipëri të shumës prej 300,000 euro dhe të transfertës së kryer më datë 16.09.2014 nga llogaria e Eric Nyssens në llogarinë e Rovena Kalemit të shumës prej 800,000 euro. Nga të dy këto dokumente rezulton se transferimi është kryer nga llogaria e shtetasit Eric Nyssens në bankën X. Gjithashtu, Nyssens ka sjellë edhe një kopje të disa kërkesave dhe mandateve burse të vlerave të ndryshme të datës 09.09.2014, për llogarinë në emër të tij. Gjatë kohës që këto llogari bankare kanë qenë nën sekuestro, – thekson prokuroria – Rovena Kalemi dhe Eric Nyssens nuk kanë paraqitur asnjë provë dokumentare për të provuar ligjshmërinë e burimit të këtyre parave. Në bazë të ligjit “Antimafia”, barra e provës për pasuritë e krijuara u takon personave të dyshuar për “pastrim parash”. Në këtë kuadër, Prokuroria e Durrësit dërgoi për kompetencë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda materialin, me qëllimin konfiskimin e tij./bw