Home LAJME Biznesmenët që përfituan gjatë pushtetit të Pal Lekajt

Gazeta Jeta në Kosovë @

Pesë tenderë të furnizimit me naftë gjatë pushtetit të Pal Lekajt i fituan dy biznesmenë, Zeqir Haxhija e Dervish Tahiri, që janë miq të tij. Tahiri tash është këshilltar komunal i AAK-së. Një kontratë mes kompanisë së tyre dhe komunës së Gjakovës e lidhur më 2011 u kritikua për parregullsi nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Biznesmenët po ashtu përfituan edhe nga legalizimi pa bazë ligjore i një objekti të lartë të ndërtuar në qytetin e Gjakovës.

Vetura zyrtare e Pal Lekajt përgjatë gjashtë vjetëve pushtet të tij në Gjakovë, ka vizituar shpesh një pompë të derivateve të naftës në Meje të Gjakovës.

Pompa i përket kompanisë “D.Z” në pronësi të Dervish Tahirit dhe Zeqir Haxhija, miq të ish-kryetarit të Gjakovës.

Tahiri përveç miqësisë me Lekajn është bërë edhe këshilltar komunal i AAK-së në legjislaturën e re të mandatuar në janar të këtij viti.

Por vetura e ish-kryetarit vizitonte kompaninë e tyre për t’u furnizuar me naftë, pasi që ishte e kontraktuar nga Komuna e Gjakovës që të ofronte këtë shërbim.

“D.Z” arriti të fitonte pesë tenderë të furnizimit me naftë gjatë viteve 2008-2013 që në total kalojnë shumën prej 700 mijë eurosh.

Dy kontratat e fundit me komunën që i lidhi më 2013, u trashëguan nga qeverisja e re e Mimoza Kusari-Lilës së Aleancës për Kosovën e Re.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se kishte pasur parregullsi në tenderë të furnizimit me naftë dhe ato ishin evidentuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në qershor të vitit 2012, por vërejtjet nuk ishin përfillur nga Komuna e Gjakovës.

Por nuk janë vetëm tenderët e furnizimit me naftë që biznesmenët kanë fituar gjatë pushtetit të Lekajt.

Tahiri, Haxhija dhe Ismet Ahmeti, një biznesmen tjetër lokal në Gjakovë, njëkohësisht kryeshef i Ujësjellësit Radoniqi, përfituan nga legalizimi i një objekti pa leje të ndërtuar në qytetin e Gjakovës.

Legalizimi ishte bërë më 2008 me vendim të Kuvendit Komunal, përkundër që nuk kishte bazë ligjore që e lejonte një gjë të tillë.

Lekaj nuk deshi të komentojë lidhur me tenderët e fituar nga kompania “D.Z” dhe nuk foli as për legalizimin e objektit të këtyre biznesmenëve, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“Ju ftojmë që t’u drejtoheni më konkretisht organeve komunale përkatëse si Zyrës së Prokurimit, lidhur me rastin e furnizimit me derivate nga kompania ‘D.Z’”, tha Lekaj nëpërmjet zëdhënëses së tij Nita Efendia.

Ai nuk deshi të komentojë lidhur me miqësinë me biznesmenët përfitues gjatë mandatit të tij.

“Kryetari nuk dëshiron që të komentojë më shumë”, tha Efendia.

Por biznesmeni që fitoi nga autoritetet publike gjatë pushtetit të Pal Lekajt ka respekt për ish-kryetarin.

“Pal Lekaj e ka rregulluar Gjakovën”, thotë Haxhija duke pohuar se ka miqësi të mirë me ish-kryetarin.

“Unë me Palin kemi qenë edhe shokë gjatë luftës dhe jemi miq shumë të ngushtë”, thotë Haxhija.

“Deri sa të jem gjallë, AAK-së kam me ja jap votën”, shton Haxhija, një ish-luftëtar i UÇK-së me nofkën “Komandant Kanuni”. Ai është edhe pronar i televizionit lokal TV Syri.

Ndërkohë lavdëruesi i Lekajt ka raporte familjare me ortakun e tij në biznes dhe këshilltarin e AAK-së, Dervish Tahirin.

“Dervishin e kam dajë”, tha Haxhija, duke treguar se “ edhe Ismetin e quaj dajë sepse është i të njëjtit fshat-Smolicë e Gjakovës”.

Por vetë ai dhe dy dajallarët e tij nuk pranojnë që tenderët dhe leja janë dhënë në baza shoqërore, e aq më pak partiake.

Haxhija thotë se kompania e tij është serioze dhe e meritonte të fitojë tenderët, ndërsa për legalizimin e objektit tregon se ka paguar 90 mijë euro.

“Gjithçka ka qenë e rregullt”, thotë ai.

Të njëjtën e thonë edhe Tahiri e Ahmeti që bashkë me Haxhinë ngritën kompleksin afaristo-banesor në afërsi të stacionit të autobusëve në Gjakovë.

Parregullsitë në tenderët e fituar nga kompania “D.Z”

Kompania “D.Z” u kontraktua përgjatë pushtetit të Lekajt për të furnizuar komunën me naftë për nevoja të automjeteve zyrtare dhe për ngrohje.

Më 19 gusht të vitit 2008 fitoi tenderin e parë në mandatin e Lekajt. Vlera e tenderit ishte 71 mijë e 242 euro.

I dyti u fitua më 12 gusht të vitit 2010, ndërsa i treti më 28 korrik të vitit 2011.

Në njoftimet për dhënie kontrate më 2010 e 2011 nuk ceket shuma totale e kontratës, por vetëm çmimi për njësi dhe nuk tregohet se sa është totali i njësive të furnizimit me naftë –litrave të kërkuara nga Komuna e Gjakovës.

Kjo kompani fitoi tenderin e katërt më 15 gusht të vitit të kaluar në vlerë prej 420 mijë eurosh. Një tender tjetër ishte fituar më 9 tetor të vitit 2013. Vlera e tij ishte 250 mijë euro.

Por mbikëqyrësi i shpenzimeve të institucioneve shtetërore- Zyra e Auditorit të Përgjithshëm- kishte gjetur se kishte pasur parregullsi në kontratat e furnizimit me naftë në Komunën e Gjakovës.

Raporti i ZAP-it, i publikuar në qershor të vitit 2012 që i referohet periudhës janar-dhjetor 2011, konkludon se autoritet komunale kishin pasur kontroll të dobët lidhur me pranimin e derivateve të naftës.

Auditorët konkluduan se Komuna i kishte paguar 182 mijë e 37 euro kompanisë furnizuese, por nuk kishte bërë kontroll të duhur lidhur me pranimin e derivateve.

“Komisioni për pranim të mallit kur ka bërë pranimin e derivateve, nuk kishte

lënë dëshmi se sasia e furnizuar është në harmoni të plotë me fletëdërgesën e furnizuesit”, thuhet në raport.

Komunës së Gjakovës i ishte rekomanduar që të bënte verifikimin e sasive të naftës me të cilat ishte furnizuar dhe pagesave në rastin e pranimit të derivateve.

Por ky rekomandim nuk ishte përfillur vitin e ardhshëm.

Raporti i fundit i auditimit, i publikuar në qershor të vitit 2013që i referohet vitit 2012, thotë se Komuna e Gjakovës nuk implementoi këtë rekomandim.

Ilire Daija- Buza, ushtruese detyre e drejtorit të Shërbimeve Korporative në ZAP, e kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë deklaroi se pranimi i naftës bëhej në mungesë të një procesverbali të sasisë dhe në mungesë të një raporti të qartë për furnizimet e pranuara.

“Komisioni i përbërë prej tre zyrtarëve e ka nënshkruar faturën e pranuar nga furnitori, por nuk ka prezantuar asnjë dëshmi me shkrim për të konfirmuar se sasia e pranuar është korrekte”, deklaroi Daija-Buza.

Zeqir Haxhija, një prej hisedarëve të kompanisë tha se ata kishin fituar tenderë për faktin se ishin më të mirët në treg.

“Nuk ka kompani më të fuqishme dhe serioze se na”, tha Haxhija, duke shtuar se do të fitojë tenderë edhe tash në qeverisjen e Kusari-Lilës.

Por kur iu përmenden gjetjet e auditimit, Haxhija deklaroi se nuk merret me menaxhim të kompanisë.

“Unë u besoj punëtorëve të mi dhe nuk e di se këto kanë ndodhur”, tha Haxhija.

Ndërkohë, edhe këshilltari komunal i AAK-së Dervish Tahiri, deklaroi se kompania fitoi tenderët për shkak se i kishte plotësuar kushtet, e jo për shkak të afërsisë me Lekajn duk shprehur bindjen se “D. Z”-ja do të fitojë sërish edhe gjatë qeverisjes së re.

Ndërkohë Ali Tafarshiku, zëdhënës i Komunës së Gjakovës, nuk komentoi nëse kjo kompani do të fitojë sërish, por tha se qeverisja e re është e përkushtuar që të mos përkrahë kompanitë që mund të kenë konflikt interesi me drejtues të saj.

Komuna legalizoi objektin pa leje për shokët e kryetarit

Viti 2008 për miqtë e Pal Lekajt ishte i frytshëm. Autoritet komunale legalizuan objektin afaristo-banesor të lartë tetë kate të tre biznesmenëve që e ngritën afër stacionit të autobusëve.

Objekti ka edhe bodrumin dhe përdhesen që shfrytëzohen për lokale afariste si dhe restorantin rrotullues në majë që llogaritet si nënkulm.

Mirëpo komuna ishte ngutur kur mori këtë vendim, pasi që atëkohë nuk kishte bazë ligjore për legalizim të objekteve pa leje.

Tre biznesmenët, Haxhija, Ahmeti dhe Tahiri, në maj të vitit 2008, bënë një kërkesë në Kuvendin Komunal të Gjakovës, për legalizimin e objektit.

Kuvendi Komunal më 2 qershor vendosi për legalizimin e tij në një mbledhje të kryesuar nga Pal Lekaj që atë vit kishte te drejtë të udhëhiqte asamblenë.

Mirëpo atë ditë disa këshilltarë komunalë e kishin lëshuar sallën duke kundërshtuar legalizimin e këtij objekti.

Shani Tuzi (LDK) i cili kishte qenë në atë kohë asamblist, ndërtimin e këtij objekti e kishte vlerësuar si “..lëshim kohor që nga viti 2004 që është bërë nga dikush prej këtij institucioni”.

Më 2004, sipas tij, kishte nisur ndërtimi ilegal i këtij objekti.

Sipas tij, në bazë të planit urbanistik të vitit 1976, ajo zonë ku gjendet objekti, ishte planifikuar zonë e gjelbër e qytetit.

Po ashtu edhe Naim Ibrahimi (LDK) nuk kishte dashur që të ishte pjesë e një legalizimi që sipas tij ishte i paligjshëm.

E sipas Hajrulla Çekut, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “Ec më Ndryshe” dhe njohës i pushtetit lokal, një leje e tillë është e paqëndrueshme, dhe joligjore.

“Legalizimi i ndërtimeve pa leje deri tani është realizuar pa bazë ligjore” tha Çeku.

Ai tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ua ka qartësuar komunave se rregulloret e tyre për legalizime janë akte joligjore.

“Prandaj, si rregulloret e miratuara nga komunat, ashtu edhe praktikat e legalizimeve të ndërmarra para miratimit të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje janë joligjore’, tha ai.

Ky ligj ka hyrë në fuqi më 26 dhjetor të vitit 2013 dhe sipas Ministrisë së Mjedisit pritet që muajve në vazhdim të nisë edhe procesi i legalizimit të objekteve pa leje.

“Një gjë është e sigurt se komunat viteve të fundit kanë legalizuar objekte pa mbështetje ligjore”, tha Kreshnik Berisha, zëdhënës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Por pronarët e objektit thonë se legalizimi i objektit është bërë brenda rregullave.

“Na është dhënë leja e ndërtimit dhe është miratuar edhe në Asamblenë Komunale”, tha Ahmeti, njëri nga tre pronarët e ndërtesës.

E Zeqir Haxhija thotë se ai nuk e di saktësisht kur ka filluar ndërtimi i këtij objekti.

Tregon se e kishin ndërtuar objektin përkundër mungesës së lejes, por sipas tij e rëndësishme është që është legalizuar.

Pronari tjetër Tahiri, thotë se nuk ka rëndësi se kur dhe si është ndërtuar, por se me rendësi është që është legalizuar nga autoritetet komunale.