Home LAJME BFI: Të lustrohen edhe hoxhallarët

BFI është pro lustrimit të hoxhallarëve si dhe të klerikëve edhe të religjooneve tjera. Ata, madje kërkojnë përshpejtimin e këtij ligji i cili do të pastronte radhët e të gjithë institucioneve.

“Nëse një ditë ky ligj do të zgjerohet dhe do të na përfshijë edhe ne, si Bashkësi Fetare, në atë çast para Komisionit përkatës do të deponohen të gjitha deklaratat e firmosura nga teologët që funksionojnë në kuadër të BFI-së dhe organet e saj. Kushdo që ofron deklarata të rrejshme do të përballet pastaj me ligjin përkatës. Ne as që mendojmë të bëhemi strehë e “urithëve” të cilët jo pak kanë dëmtuar çështjet tona kombëtare e fetare, dhe njerëzit tanë të devotshëm. Pra, edhe ne si BFI në Maqedoni jemi pro këtij procesi, madje për përshpejtimin e tij” , thuhet në një deklarat për Alsat-M.

Kreu i Komisionit për verifikimit të fakteve, Tome Axhiev, deklaroi se nis procedurë lustrimi edhe për klerikët kur marrin një shkresë zyrtare nga kreu i tyre.

“Kur të marrim një shkresë të tillë nga zyrtarët e bashkësisë fetare, me emra se këta persona dua që të lustrohen, dhe se me deklaratat e tyre pajtohen edhe vetë ata, Komisioni menjëherë do t’i vendosë në procedurë dhe do t’i verifikojë ata. Kjo është procedura. Është e thjeshtë”, deklaroi Tome Axhiev.

Sipas Axhievit, deri në momentin kur ligji thoshte se objekt lustrimi janë edhe klerikët, pranë Komisionit për Verifikimin e Fakteve kishin mbërritur gjithsej 120 deklarata nga klerikët fetarë. Pjesa më e madhe e tyre, kanë qenë nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë.