Home LAJME BESA në syrin e daltonistëve

Thesarin e fjalëve të mëdha e morën në dorë ata që nuk dinin gjë për fjalët dhe fuqinë e fjalëve. Të flasësh fjalë të mëdha do të thotë ta ngarkosh veten me barrë të rëndë. Kështu, nga barra e rëndë, që u shkaktua nga premtimet dhe fjalët e mëdha, njerëzit që menduan se janë të fuqishëm, andaj filluan t’i hidhnin fjalët pa vend pa menduar se populli, nëse jo më tepër, së paku di ta bëjë regjistrimin e fjalëve dhe premtimeve.

Kjo i mashtroi të mendojnë se posedojnë Dituri. Kjo u mundësoi keqpërdorimin e njerëzve të pushtetit si fuqi, të cilën e morën si rezultat i duartrokitjeve e hatreve boshe. Këtë e them me plot bindje, pasi të gjithë e dinë se sa ata dinë, por përsëri hatri, kjo traditë popullore që ka ndikim në ndryshimin e fateve tona, sa shumë është keqpërdorur. Përsëri nga padituria. Me të vërtetë të padijshmëve u dha shumë.

Ndoshta jemi bërë fenomen në rang botëror, pasi që në vendin tonë të jesh i padijshëm, përveç tjerash, nënkupton të jesh edhe i suksesshëm dhe t’i kesh të gjitha mundësitë e hapura. Madje, gëzon edhe respekt të veçantë! Gati se në të gjitha rastet edhe gjendjen financiare e ke shumë të mirë. Aq më tepër që as ligjet nuk vlejnë për këtë kategori “të privilegjuar” njerëzish, pasi rregullat fundja vlejnë për ata që janë të dijshëm dhe të qytetëruar. Ky, pra, është sistemi dhe standardi, të cilin na e kanë imponuar “të privilegjuarit” e fuqishëm. Nuk duhet të harrojmë se për instalimin e këtij sistemi të “vlerave” ata kanë investuar shumë, natyrisht në vetvete (është dashur).

Tregohet një rast shumë interesant nga një mik i ngushtë i ish-presidentit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Izetbegoviq, se në një luginë njëherë e në një kohë kanë jetuar njerëz të cilët kanë vuajtur nga sëmundja e daltonizmit. Ata, pra, ishin mësuar të jetojnë me stilin e tyre, duke mos i dalluar ngjyrat. Por, në atë luginë një ditë shfaqet një njeri i panjohur për ta, i cili nuk vuante nga kjo sëmundje dhe i cili i dallonte të gjitha ngjyrat e natyrës. Njeriu hyri në mesin e daltonistëve dhe pasi e vërejti se ata nuk dinin gjë për ngjyrat, filloi t’u flasë për ekzistimin e ngjyrave dhe për bukurinë e tyre. Njeriu fliste me plot bindje dhe me shumë insistim se ata (daltonistët) ishin shumë gabim. Ai filloi t’iu flasë për bukurinë e ngjyrës së qiellit, për bukurinë e gjelbërimeve dhe larushinë e luleve.

Mirëpo, me të dëgjuar fjalët e njeriut, daltonistët – të tensionuar – filluan të grumbullohen duke dëgjuar “gënjeshtrat” e këtij njeriu që ua shponte veshët si çrregullues dhe shpifës. Pastaj pa një pa dy e shpallën njeriun gënjeshtar, pasi ai fliste për diçka që ata e konsideronin si të pavërtetë dhe shpifje e madhe. Kështu, vendosën që njeriun ta ekzekutojnë dhe ashtu ndodhi. Ata nuk ishin mësuar ta dëgjonin të vërtetën, pasi e pavërteta dhe sëmundja ua kishte verbëruar sytë. Ata nuk dinin më ta dallonin të vërtetën nga e pavërteta.

Në këtë ndodhi ka mësim për një popull që din të mendojë.

Edhe në mesin e shoqërisë sonë tashmë është shfaqur subjekti i cili na fton në të vërtetën dhe larushinë e të mirave që ekzistojnë, të cilat nuk kemi mundur t’i shohim nga verbërimi që na kanë shkaktuar të “privilegjuarit”. Ata (thirrësit e Besës) kësaj radhe na thonë se na jemi duke shkuar drejt greminës! Se kjo gjendje duhet ndaluar! Mirëpo, kësaj radhe ne duhet të vendosim se cilën anë do të zgjedhim, do të bëhemi daltonist në kuptimin e mësipërm apo do të përqafojmë të vërtetën dhe kështu të shpëtojmë të gjithë?! Edhe të verbëruarit.