Home LIFESTYLE BESA e mbajti “BESËN”!

Shkruan: Medai Shaholli

Dje u mbajt takimi të cilin e pati thirrur Ali Ahmeti ,për të biseduar brenda bllokut shqiptar për platformën e përbashkët në bisedimet për formimin e qeverisë së re.Në këtë takim ka marrë pjesë vetëm koalicioni i tri partive të pagëzuar me emrin Aleanca për Shqiptarët dhe DUI, si nikoqire e takimit.
Thirrjes së Ali Ahmetit nuk iu përgjigjën PDSH-ja dhe Besa .Këtë radhë Besa e mbajti “besën”, për faktin se nuk do të bisedonte me integristët e Ali Ahmetit ,si përgjegjëse dhe bashkëfajtore të qëndrimit shovinist maqedon dhe persekutimeve të qeverisë koalicionit ndaj shqiptarëve për 15 vjet me radhë.Përkundër ftesës së drejtuar besatarëve të z.Kasami,ai nuk iu përgjigj me të drejtë ftesës së mëkatarit Ahmeti. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë pse të ndjekin udhëzimet dhe rrugën e gabuar të një partie të gabuar që ka lënë shije të hidhur në historinë e parlamentarizmit siç është DUI.

Besa si formacion i ri politik është jo shumë pranueshëme për shumicën e shqiptarëve. Në bazë të rezultateve në zgjedhjet e 11 dhjetorit ajo doli si forcë e dytë politike në vend.Thuhet se hezitimi që kanë shqiptarët për ta mbështetur Besën janë se ajo financohet nga turqit apo nga rryma të ndryshme islamike në lindjen e mesme.Ajo ngmban mbi vete një ngarkesë të rëndë; epitetin lëvizjes fetare islamike. Deri tani janë dukur tek-tuk në horizont prirjet fetare të besatarëve dhe referencat e tyre mbi fenë .Prirja fetare e besatarëve nuk i bën ata më pak atdhetarë se sa integristët laikë që dëshmuan këto 15 vite si puthadorë të VMRO-së dhe LSDM-së.Të paktën refuzimi i ftesës së Ali Ahmetit si “patriark i shqiptarëve” në këto bisedime është qëndrim i drejtë i besatarëve në respekt të votuesve të saj.

Edhe pse dihet se pa DUI-n nuk do të ketë asnjë shans formimi i çfarëdo qeverie me Gruevskin apo Zaevin , kjo sdo të thotë se shqiptarët duhet t’i shohin ftesat e DUI-t si të partisë mandatare për formimin e koalicionit qeveritar.Formimi i qeverisë së koalicionit nuk do të dalë nga nga zyrat DUI-t por nga zyrat e VMRO-së ose të LSDM-së.Këto ftesa të qelbura nga Ali Ahmeti mund të refuzoheshin edhe nga APSH-ja ,sepse krizën nuk e zgjidhin koalicionet që bëjnë kurban çështjen shqiptare.
Në emër të bashkimit dhe platformës së përbashkët të shqiptarëve përballë bllokut maqedonas, pala shqiptare siç duket do të sakrifikojë edhe njëherë interesat kombëtare ashtu siç vepruar DUI, gjatë këtyre viteve në pushtet.
Shqiptarët nuk duhet me asnjë kusht të sakrifikojnë interesat kombëtare për faktin sepse DUI qenkësh çelës i formimit të qeverisë dhe se pa të nuk do të kemi qeveri.
Pikrisht në këso rastesh për zgjidhjen krizave politike maqedonasve u kanë dalë në ndihmë gjithëmonë “çelësat kallauzë”, (nga një parti shqiptare )si shpëtimtarë të paktën këto 26 vjet të pluralizmit në Maqedoni.

Këtë radhë shqiptarët e kanë në dorë gurin e dominos që do duhesh ta luanin ,se nuk do ketë qeveri stabile të koalicionit pa plotësuar kushtet e palës shqiptare, në të kundërtën qeveria teknike është një alternativë për të shkuar më vonë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.Rast i mirë ky për ta flakur nga skena politike DUI-n, ashtu siç ndodhi me PPD.Shqiptarët janë stërngopur me gënjeshtrat e partive në pushtet pasi ata janë zotuar shpeshëherë ,se do ta detyrojnë bllokun maqedonas për të pranuar kushtet dhe kërkesat e shqiptarëve.E kundërta ka ndodhur që në kontaktin e parë dhe partitë shqiptare kanë hequr dorë nga kërkesat dhe kanë pranuar kushtet e partive maqedonase për të marrë pjesë në koalicion si inferiorë. Jo, kjo praktikë puthadorësh nuk guxon të ndodhë më, interesi kombëtar është më i madh se ai grupor dhe partiak.

Nga ana tjetër Aleanca për Shqiptarët në krye me z.Sela,në këtë rast shkalloi rëndë duke iu bashkuar kakofonisë së zërave që thonë; për një bashkim dhe një platformë të përbashkët shqiptarëve si kushte në përballje me bllokun maqedonas !DUI ka treguar tashmë se cilat interesa i ka mbrojtur ndaj ç’do tentim për ta amnistuar atë është bashkëfajësi .Shqiptarët e ndëshkuan DUI-n po jo mjaftueshëm për ta nxjerrë nga skena politike.Ajo vazhdon të jetë protagoniste kyçe në vendimmarrje.
Zhvillimeve të fundit tregojnë se etja për pushtet e APSH-së ,do ta bëj atë një kopje të zverdhur DUI-t ,në mos po dhe bisht i saj.
Në fakt z.Sela dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë parë interesa të tyre të ngushta duke vrapuar pas “sheqerkave” integristëve në këtë takim. Nuk ka arsye që ky takim mes “vëllezërve opozitarë dhe pushtetarë”, duke surbuar kafetë e mesditës të ketë ndonjë një qëllimi tjetër veç pjesmarrjes në ndarjen e kulaçit qeveritar.