Home LAJME BE – Rusisë: Rri larg Ballkanit Perëndimor

Të premten Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Rusia që të mos e fus edhe Ballkanin Perëndimor në mosmarrëveshjet e veta vazhdimisht e më të thella me perëndimin rreth Ukrainës, duke reflektuar brengën se rajoni rrezikon të bëhet një pikë tjetër e tensioneve lindje-perëndim.

Reuters shkruan se shtetet e Ballkanit Perëndimor ia kanë vënë syrin anëtarësimit në BE, por diplomatët thonë se Rusia është duke shfrytëzuar krizën ekonomike dhe ndjenjat pro-ruse në mesin e disa sllavëve ortodoksë të krishterë për të rritur ndikimin në rajon.

Duke spikatur “tensionet” në mes të BE-së dhe Rusisë, shefja e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, gjatë vizitës së saj në Bosnje, ka thënë se është në interesin e të dy palëve “për të gjetur dhe zhvilluar mënyra të bashkëpunimit, dhe jo të konfrontimit”.

“Me siguri se do të ishte ide e mirë për të mbajtur Ballkanin Perëndimor jashtë këtyre dinamikave dhe të menduarit, dhe pres nga të gjithë në lidershipin rus ta konsiderojnë këtë në po të njëjtën mënyrë”, ka thënë ajo gjatë një konference për media, transmeton Koha.net.

Gjermania ka qenë më e zëshmja në brengat e saja mbi rolin e Rusisë në Ballkan, rajon i cili mbetet i paqëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht edhe dy dekada pas ndarjes së përgjakshme të Jugosllavisë socialiste.

Ndërsa Sllovenia dhe Kroacia tashmë i janë bashkuar BE-së, zgjerimi tek vendet si Serbia, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria e Kosova është ngadalësuar si pasojë e reformave të pamjaftueshme por edhe si pasojë e pakënaqësive të thella përbrenda vet BE-së.

Rusia hidhëroi diplomatët perëndimor në muajin nëntor kur, për herë të parë në 14 vjet, ajo refuzoi të mbështeste vazhdimin e forcës paqeruajtëse në Bosnje, e cila fillimisht udhëhiqej nga NATO e tani nga BE. Rusia abstenoi nga vota në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Rusia ka ofruar mbështetje politike për liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili shpesh avokon shpërbërjen e shtetit boshnjak.