Home LAJME ‘BDI sjell probleme, reformat brenda PDSH-së janë domosdoshmëri’ (VIDEO)

Në një paraqitje para qytetarëve të Çellopekut, kryetari i Këshillit për degën e Tetovës, z. Adnan Neziri ka elaboruar domosdoshmërinë për reforma brenda PDSH-së.

“Reformat politike janë procese të nevojshme për shoqërinë, ndërsa tek ne në këtë moment janë domosdoshmëri. Sferën politike në bllokun shqiptar e dominojnë dy partitë BDI dhe PDSH. BDI-ja në pushtet shihet se dita-ditës bën probleme dhe nuk zgjedh çështjen e shqiptarëve, edhe pse e ka verdiktin e popullit. Duke filluar nga problemet e mëhershme si enciklopedia, flamuri, rahja e nxënësve, mostra etj”, tha Neziri.

Sipas tij, në kohën e fundit kjo parti politike rrezikon edhe çështjen ekzistenciale të shqiptarëve. “Çka nënkupton kjo, për shembull në vendet e punës njerëzit që mendojnë ndryshe nga ata dhunohen, përveç kësaj ndotja e ambientit që bie në ingerenca të ministrive ku përfaqësohen ata, por ata nuk kanë fuqi që këtë ta kundërshtojnë. Në kohën e fundit kemi prezencën e njësiteve policore ku sulmohet edhe ekzistenca familjare që do të thotë që gjithë këto na imponojnë atë që ne të bëjmë reforma”, tha Neziri.

Duke folur për PDSH-në, ai tha se aktualisht kjo parti nuk luan rolin e opozitës, prandaj reformat janë të domosdoshme. “Në anën tjetër kemi partinë opozitare që nuk luan rolin e saj opozitar, por çdo ditë mendon se si ajo të bëhet pjesë e qeverisë që të realizojë synimet e saja që nuk janë detyrë e opozitës. Në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë ajo përkrah pozitën, dhe për këtë arsye imponohet nevoja për reforma në PDSH”, tha Neziri.

Sipas tij, reformat përveç që do ta bëjnë PDSH-në parti të vërtetë që do të angazhohet për përfaqësimin e interesave shoqërore dhe jo individuale, nënkuptojnë edhe ndryshime të rëndësishme Statutare, respektivisht kur partia i humb zgjedhjet, Kryetari i Kuvendit Qendror shpall kongres të jashtëzakonshëm, në të cilin do të zgjidhet kryetari i ri. Mandati i kryetarit do të kufizohet në nivel të dy mandateve.