Home LAJME BDI, ndryshime të kuadrove në eshalonin e tretë

Tre muaj pas formimit të Qeverisë, BDI-ja ende nuk ka deleguar kuadro të saj në postet e rezervuara për partinë e Ahmetit. Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi theksoi se komisioni brenda partisë ende po shqyrton punën e drejtorëve të deritanishëm dhe emrat e mundshëm për postet qeveritare. Pritet që BDI-ja ti ndryshojë drejtorët që tashmë një kohë të gjatë udhëheqin me drejtori të caktuara.

“Është emëruar drejtori i Postave të Maqedonisë, së shpejti pritet edhe emërimi i drejtorit në Agjencinë për Investimeve të Huaja dhe Qendrën për Menaxhim me Kriza. Ajo që dua të theksoj është se ne sigurisht që do të shqyrtojmë pozicionet e drejtorive aktuale të cilat janë emëruar dhe janë në pozita të njëjta një kohë më të gjatë, për të parë efikasitetin e tyre, por edhe për të shqyrtuar mundësinë e rotacionit të drejtorive”, tha Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Përderisa BDI-ja ka lënë vendet boshe, zv/drejtorë nga radhët e VMRO-DPMNE-së ose ushtruesit e detyrës drejtorë në disa institucione, kanë shpallur konkurse për pranimin e të punësuarve të rinj, duke mos respektuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat gjatë procedurës së pranimit. Për këtë shkak është anuluar tashmë konkursi i Agjencisë për Investime të Huaja, ndërsa në 3 institucione të tjera janë hapur konkurse shtesë për pranimin e shqiptarëve.

“Ka pasur raste të tilla kur në konkurset e hapura jo gjithmonë është respektuar kjo dispozitë, dhe ne nëpërmjet Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit kemi kërkuar që kjo të përmirësohet. Në disa raste janë anuluar edhe konkurset, ndërsa në raste të tjera janë marrë edhe pëlqime të reja me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit të drejtë në ato institucione”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë kohë ishte në qendër të kritikave, për shkak të vlerësimeve se gjatë ndarjes së kulaçit qeveritar, nuk ka arritur të marrë asnjë nga drejtoritë e rëndësishme, edhe pse para zgjedhjeve premtonte drejtori dhe agjenci me peshë, si Drejtoria e të Ardhurave Publike, Doganat, agjencitë për zbulim dhe të tjera./Alsat-M