Home LAJME Baton Haxhiu iu shpallë luftë portaleve

Pak kohë pasi që deputeti i PDK’së, Berat Buzhala, përmes një shkrimi autorial ka bërë të ditur publikish se është qortuar ashpër nga publicisti Baton Haxhiu për shkak se në një intervistë në Klan Kosova – medium ky që të paktën zyrtarisht udhëhiqet nga Haxhiu, kishte deklaruar se zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli, tani për tani, është politikan mediokër, nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigjia e Baton Haxhiut.

Përmes një shkrimi autorial, Haxhiu ka shprehur pikëpamjet e tij lidhur me portalet shqiptare. Sipas tij, sensacioni në gazetari është kategoria më infektuese.

“Liria e mendimit dhe shprehjes nuk justifikon në asnjë mënyrë të drejtën e bastardimit të gjuhës, apo përhapjes në formë papagalli të rrenave dhe shpifjeve. Ky sistem “informimi“ përdjallëzon kërkesën qytetare për informim dhe pse jo edhe për zbavitje.

Ky zvetënim i shijes në Kosovë ka bërë që të ketë përmbysje të paparashikuara. Njerëz dhe shije janë ndryshuar brenda natës. Në portale është vendi ku nuk ekziston gazetaria, shkruan Haxhiu në një kolumnë autoriale për gazetën Tribuna.

Ai, midis të tjerash, shprehet se portalet mirëmbahen nga vullnetarë të papunë, depresivë dhe gazetarë të lënë anash, të cilët si duket ia kanë bërë parim vetes të jenë kujdestarët e komenteve dhe fushatave online.

Ndonëse këndvështrimi i tij nuk është edhe i pabazuar duke marrë parasysh shumësinë dhe cilësinë e portaleve shqip, publicisti Haxhiu tekstin e përfundon me këshillën se gazetarët e mirëfilltë të portaleve duhet të presin edhe pak që të vdesin kjo kastë depresivësh të lënë anash që shëtisin si kërkuesit e femrave nëpër xhamat e bordeleve.

“Apo edhe më keq. Kur shkruajnë ata, më ngjajnë sikur femrat që janë brenda bordelit dhe janë aq shumë të dhunuara nga shumë meshkuj, sa që kur kthehen në shtëpi mendojnë se po ta marrin furçën mund të pastrohen nga “poshtërsia“ e ditës seksuale. As furça dhe as uji nuk i pastron nga dëshira e tyre mazohiste për të thithur dhe dhunuar veten me seksin brutal. Kur shëtisësh dhe ngulesh nëpër shumë vende, s’ke tjetër vetëm të dëshpërohesh me veten. Sepse s’ke kuptuar asgjë nga jeta, përveç shijes së dhunimit brutal dhe hedhjes në rruge si një ballon penisi”, përfundon shkrimin autorial Haxhiu, i cili megjithatë nuk e sqaron se gjatë karrerës së tij sa herë ka rastisur të ndjehet sikur femrat brenda xhameve të bordeleve. Sikundërse, Haxhiu nuk sqaron se pse gjithë ky pezmatim ndaj portaleve në momentin kur në opinion shpërfaqen të vërteta lidhur me raportet e tij të ngushta me politikanët shqiptar. Ai, gjithashtu, në shkrimin e tij autorial nuk tregohet i sinqertë deri në fund e të rrëfehet se sa herë e ka përjetuar në kurriz të tij “shijen së dhunimit brutal dhe hedhjes në rrugë si një ballon penisi”?/Almakos