Aurier do të zë vendin e Sagnas
Mbrojtësi i djathtë i Toulouse, Serge Aurier, duket se është afër kalimit te Arsenali si zëvendësues i Bacary Sagna.
Topçinjtë kanë filluar bisedimet me 21-vjeçarin gjatë muajit maj për ta transferuar atë në Emirates Stadium, pas paraqitjeve mbresëlënëse në Ligue 1, ku shënoi gjashtë gola dhe asistoi në po aq.
I pyetur nga një tifoz i Arsenalit pas ndeshjes miqësore kundër Bosnje e Hercegovinës, ai ka thënë se do t’i bashkohet klubit londinez gjatë verës.
Më pas futbollisti nuk e ka fshehur dëshirën për të kaluar te ekipi i Arsene Wenger gjatë postimeve të tij në rrjetet sociale.
Arsenali duhet të paguajë rreth nëntë milionë euro për shërbimet e futbollistit nga Bregu i Fildishtë.
Sagna, nga ana tjetër, ka konfirmuar se do të largohet nga Emirates gjatë verës me gjasa të mëdha që të nënshkruajë për Manchester Cityn.