Home LAJME Asad: Çlirimi i Alepos është fitore për të gjithë

Bashar al-Assad

Çlirimi i Alepos është fitore jo vetëm për Sirinë por për të gjithë ne, që luftojmë kundër terrorizmit, para së gjithash për Rusinë dhe Iranin, deklaroi sot presidenti sirian Bashar al Asad, njoftoi TASS.

Asadi këtë e deklaroi në takim me zëvendësministrin iranian të Punëve të Jashtme Hosein Xhaber Ansari, i cili është për vizitë në Damask.

Presidenti sirian theksoi se fitoret në fushën e betejës janë një hap i rëndësishëm në rrugën drejt dhënies fund të terrorizimit në tërë territorin e Sirisë dhe kthimin e kushteve të favorshme për fundin e luftës.

Sulmet ajrore ruse dhe milicitë e përkrahura nga Irani luajnë rol të rëndësishëm në arritjen e fitores të forcave qeveritare siriane në Alepo, i cili ka qenë qyteti sirian më i populluar dhe qendër ekonomike e vendit.

Pritet që kryengritësit e fundit të largohen nga Alepo brenda 24 orëve vijuese.

Mbi katër mijë luftëtarë janë evakuuar nga pjesa lindore e qytetit gjatë 24-orëve të kaluara, njoftoi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Nuk dihet se sa është numri i saktë i njerëzve që qëndrojnë në enklavën kryengritëse në Alepo, ndërsa KNKK parashikon se evakuimi do të përfundojë nesër.