Home LAJME Ardian Bytyqi: Aleanca për Lipjanin do ta çlirojë komunën nga kthetrat e...

Zgjedhjet lokale në Kosovë, ndër të tjera, do të mbahen mend edhe për themelimin e Iniciativave dhe Aleancave Qytetare që lindën si rezultat i mobilizimit të qytetarëve. Njëra prej tyre është edhe Aleanca për Lipjanin e cila në bërthamë ka për qëllim kundërvënien ndaj neglizhencës dhe keqpërdorimeve, siç thonë përfaqësuesit e kësaj Aleance, me të cilat u përball Komuna e Lipjanit.

Aleanca për Lipjanin kandidon me Basri Demirin. Shefi i shtabit zgjedhor të AK, Ardian Bytyqi, rrëfen për portalin Almakos.com se kjo iniciativë e vetë banorëve të Lipjanit u zgjerua shumë shpejt nga vullnetarë të shumtë që e kuptuan se ka ardhur koha për ta çliruar Lipjanin nga ky mjerim që ka mbërthyer pothuajse në të gjitha fushat.

“Aleanca për Lipjanin është vetë vetëdija e qytetarit e cila është e ngopur me premtimet e kota të atyre që përmes keq qeverisjes dëshmuan se qëllim të vetëm e kanë pasurimin personal në kurriz të popullit”, shprehet Bytyqi, i cili njëkohësisht është edhe kandidat për ansambleist nga radhët e Aleancës për Lipjanin..

Sipas tij, ka kaluar më shumë se një dekadë që Lipjanit i mungojnë investimet kapitale. Bytyqi shprehet se gjatë këtyre viteve edhe ato projekte të pakta që u realizuan më shumë u përfolën për afera nga më të ndryshme korruptive se sa që sollën ndryshime pozitive për banorët e Komunës së Lipjanit.

“Të rinjtë lipjanas vazhdojnë të jenë grupet më të margjinalizuara. Në mungesë të perspektivës në vendlindjen e tyre ata detyrohet që fatin ta kërkojnë tjetër kund sepse tash e 10 vite parti të papërgjegjshme po luajnë pamëshirshëm me fatin e tyre.

Janë pikërisht ata politikanë që rinisë tonë i premtuan mirëqenie, vende të punës, shkollim cilësor. Janë pikërisht udhëheqësit e Lipjanit gjatë këtyre dhjetë viteve ata që ua harxhuan ardhmërinë rinisë së kësaj komune”, thotë Bytyqi.

Ai shprehet se deri më tani në Lipjan jo vetëm që nuk është investuar, por edhe ato pak investime që i siguruan në vitet e para të pasluftës, u larguan nga komuna shkaku i keq menaxhimit dhe korrupsionit.

“Rasti i QMI – së ishte vetëm një nga shembujt se si me politika të dështuara dhe udhëheqës të korruptuar humbet mundësia e hapjes së disa fabrikave ku do të punësoheshin mijëra punëtor. Në vend të investimeve, Lipjani e fitoi namin e një komune të korruptuar. Lipjani lërë që nuk u përkrah nga Qeveria, por për më tepër u eksploatua nga individë dhe grupe të interesit”, thekson shefi i shtabit zgjedhor, Ardian Bytyqi, i cili shton se në vend të mirëqenies sociale të banorëve, në Lipjan u dhjetëfishua pasuria e grupeve të afërta me qeverisjen komunale.

Sipas Bytyqit, në Lipjan mbi të gjitha duhet të sundojë ligji. E kjo, thotë ai, mund të arrihet vetëm me njerëz të ndershëm dhe të pastër të cilët janë të gatshëm të vihen në shërbimin e qytetarëve të tyre.

“Lipjani ka qenë dhe mbetet minierë e arit për Kosovën, e cila fatkeqësisht po udhëhiqet nga njerëz që e vjedhin pamëshirshëm. Nga ata që kanë blerë dhjetëra hektarë tokë duke keqpërdorur procesin e privatizimit, ndërsa kanë krijuar monopole në fushën e ndërtimtarisë duke i ngulfatur bizneset e vogla që sot ndodhen buzë greminës”, thotë Ardian Bytyqi për portalin Almakos.com. Por, një qeverisjeje të tillë sipas Bytyqit po i vjen fundit. Ai shprehet i bindur se qytetarët e Lipjanit do ta ndëshkojnë me votë udhëheqësinë aktuale duke votuar me 3 nëntor për numrin 75 dhe kandidatin Basri Demiri.

Lipjani gjatë mandatit të kaluar udhëhiqej nga kryetari Shukri Buja nga radhët e PDK’se, i cili në këto zgjedhje synon mandatin e tretë. LDK’ja në këtë komunë përfaqësohet nga Imri Ahmeti, Vetëvendosje garon me Rabit Konjufcën, ndërsa AAK kandidon me Fitim Selimin.

Kohë më parë, kandidati i Aleancës për Lipjanin, Bastri Demiri pati premtuar se në rast se do të jetë kryetar i kësaj komune, do të punësojë 4 mijë e 500 persona gjatë mandatit katërvjeçar.

Ndër problemet më të theksuara me të cilat përballet komuna e Lipjanit, pos shkallës së lartë të papunësisë dhe migrimit të rinisë, janë edhe rritja e numrit të drejtorive komunale, problemi i banorëve të fshatit Magurë dhe Medvec me furnizimin e ujit të pijshëm, ngrohja qendrore, mungesa e stacionit të autobusëve, mos rregullimin e shtratit të lumit Sitnica dhe shumë probleme tjera./Almakos