Home LAJME Arbërie Nagavci: Vetëm Vetëvendosja mund të sjellë ndryshimet në Gjakovë

Gara elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë ka hyrë në fazën finale. Komuna e Gjakovës vazhdon të jetë një prej qyteteve më të përfolura jo vetëm shkaku i garës së ngushtë dhe kandidatëve të cilët garojnë, por edhe ngaqë ka specifikën e elektoratit të paparashikuar që llogaritet se me votën e vet në zgjedhjet e 3 nëntorit mund të prodhojë rezultate të befasishme.

Kohë më parë, portali Almakos.com solli për lexuesit intervistat e kandidatit të LDK’së, Luan Gola dhe atij të AAK – së, Pal Lekaj. Kësaj radhe, për lexuesit do të sjellim intervistën me kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje!, Arbërie Nagavcin. Ndonëse janë kontaktuar edhe kandidati i PDK’së dhe AKR’së, deri më tani ata nuk i janë përgjigjur pyetjeve të portalit Almakos.com

Lëvizja Vetëvendosje tash së fundmi mbajti tubimin e madh elektoral në Komunën e Gjakovës. Salla e stërmbushur e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, shpalosi të vërtetën se gjakovarët janë të gatshëm për ndryshime rrënjësore në komunë e tyre.

Kandidatja e lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila në këto zgjedhje do të garojë me numrin rendor 61, shprehet se është e gatshme të jetë në shërbim të qytetarëve të Gjakovës për zhvillim të përgjithshëm në secilin segment.

Almakos: Pse ju duhet të jeni kryetare e ardhshme e Gjakovës, pse duhet të votojnë për ju, e jo për kandidatët e tjerë?

Arbërie Nagavci: Unë mendoj se jam në përparësi ndaj kandidatëve tjerë për disa arsye, së pari ngase përfaqësoj Lëvizjen Vetëvendosje, subjektin e vetëm që mund të sjell ndryshimet aq të nevojshme në komunën e Gjakovës, së dyti për faktin se ne jemi subjekti i vetëm që kemi një Alternativë qeverisëse dhe një plan konkret për komunën e Gjakovës, së treti sepse unë në këtë garë jam e përkrahur nga bashkëpunëtorë profesionist, të ndershëm dhe të dëshmuar. Unë personalisht kam vullnetin, energjinë dhe gadishmërinë që të jem në shërbim të qytetarëve të komunës së Gjakovës dhe do të angazhohem maksimalisht në zhvillimin e saj në secilën sferë. Përvoja ime në menaxhim, puna e suksesshme në fushën e arsimit, por mbi të gjitha parimet e mia më mundësojnë zotimin për një punë profesionale dhe të ndershme deri në bërjen e komunës së Gjakovës një vend më të mirë që ofron mundësi për zhvillim në secilën fushë të jetës.

Vota për Arbërie Nagavcin do të jetë votë për ndryshimin e komunës së Gjakovës, për respektimin e ligjit, për zhvillimin ekonomik, votë për një të ardhme më të mirë.

Almakos: Çka fitojnë gjakovarët nëse ju do të jeni në krye të komunës pas këtyre zgjedhjeve?

Arbërie Nagavci: Me qeverisjen nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me mua si kryetare e Komunës së Gjakovës do të filloi ndryshimi aq i domosdoshëm. Ne garantojmë respektim të ligjit, demokraci në vendimmarrje dhe transparencë të plotë. Ne do të angazhohemi maksimalisht për zhvillimin ekonomik dhe garantojmë krijimin e një klime të përshtatshme të biznesit, administratë efikase dhe shërbime publike të shpejta . Do të krijojmë mundësitë për hapjen e vendeve të reja të punës, punësimet do të jenë konform kritereve dhe profesionalizmit në secilin institucion. Garantojmë një arsim cilësor dhe fuqizim të rolit të rinisë. Me mua si kryetare e ardhshme e Gjakovës do të ketë përkrahje maksimale për sportin dhe kulturën, i gjithë qyteti do të jetë një hapësirë e madhe krijuese. Do të promovojmë turizmin kulturor dhe historik dhe do t’i kushtojmë kujdes hapësirave urbane dhe krijimit të rrjetit të gjelbër. Me mua si kryetare e ardhshme do të krijohen kushtet për një jetë të dinjitetshme dhe Gjakova nuk do të jetë një vend nga i cili largohen qytetarë e saj.

Biografia

Arbërie Nagavci ka përfunduar studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, por njëkohësisht edhe Fakultetin Juridik, ku tash i vijon studimet master në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Prej vitit 1995 deri në vitin 2006 ka qenë mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Yll Morina”, kurse nga viti 2006 deri në vitin 2012 ka qenë drejtoreshë e po të njëjtës shkollë.