Home LAJME Analistët: Nëse opozita del me informata të ndjeshme ndëretnike, shembet qeveria!

Bekim BUÇI, Almakos

“Bombat” e liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev do të mund të shkaktojnë prishje të koalicionit qeveritar vetëm nëse LSDM-ja del me informata të rëndësishme që janë të ndjeshme në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike dhe me të cilat do të pamundësojnë pjesëmarrjen e mëtejshme të BDI-së në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Kështu vlerësojnë për Almakos, analistët politik duke i komentuar paralajmërimet e vazhdueshme të liderit opozitrar maqedonas Zoran Zaev se “opozita posedon ‘bomba’ me të cilat do të bëjë që të bie qeveria e Gruevskit”. Analistët janë të mendimit se megjithatë nuk bëhet fjalë për një blof politik, por se opozita maqedonase ka në dorë diçka.

“Opozita maqedonase mund të ketë informacione të llojllojshme pavarësisht asaj që pushteti kontrollon gjithçka. Mendoj se vetëm nëse opozita posedon informacione në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike mund të shkaktojë ndonjë prishje të koalicionit qeveritar, në të kundërtën nëse kanë informacione për çështje korrupsioni nuk do të kalojë, aq sa kaloi ajo me Bankën maqedonase”, deklaroi për Almakos, analisti politik Albert Musliu.

Sipas tij, vetëm nëse LSDM-ja nxjerr ndonjë informatë të rëndësishme me të cilat do t’ia pamundësojë BDI-së bashkëqeverisjen me VMRO-DPMNE-në do të jenë ‘bomba’ siç i quajnë ata shkatërruese për pushtetin.

“Sipas të gjitha gjasave opozita maqedonase është duke pritur që të kalojë takimi i Këshillit të ministrave të BE-së që eventualisht të mos akuzohet opozita se bën opstruksione për integrimin e Maqedonisë në BE edhe pse realisht nuk ka ndonjë përparim në këtë drejtim”, thekson analisti Musliu.

Ndërkohë analisti Bujar Idrizi vlerëson se përveç paralajmërimit të opozitës se do të lansohet një bombë politikë nuk kemi hollësi të tjera. Ai thotë se gjatë periudhës së kaluar pushteti dëhsmoi se është shumë mirë e fortifikuar.

“Nuk është e lehtë të parashihen efektet, ngaqë për momentin përveç paralajmërimit se do të lansohet një bombë politike, nuk kemi më shumë detaje. Personalisht, nuk ma merr mendja se bëhet fjalë për blof politik. Supozoj se opozita ka diçka në dorë, mirëpo çka është ajo do të duhet të presim deri në publikimin e saj. Opozita paralajmëron se kjo bombë do të ketë efekt super shkatërrues dhe do ta rrëzojë qeverinë, mirëpo pozita gjatë periudhës së kaluar dëshmoi se është shumë mirë e fortifikuar”, deklaroi për Almakos, analisti politik Bujar Idrizi.

Sipas tij, zgjedhjet e parakoshme në Maqedoni çdo herë janë obsion, andaj nëse të njëjtat konvokohen së shpejti, aspak dhe askend nuk do ta kishin befasuar. /Almakos