Home LAJME Analistët: ‘Maqedonia sllavo-shqiptare’ propozim i papranueshëm në Shkup

Propozimi i palës greke që emri i ri i Maqedonisë të jetë “Maqedonia Sllavo-Shqiptare”, edhe po të zyrtarizohej do të ishte i papranueshëm për dy komunitetet më të mëdha në këtë vend, maqedonasit dhe shqiptarët.

Kështu e komentojnë analistët në Shkup variantin e ri të palës greke për zgjidhjen e çështjes së emrit, që sipas mediave maqedonase u propozua javën e kaluar në Nju Jork, gjatë negociatave për tejkalimin e kontestit bilateral mes Shkupit dhe Athinës.

“Emërtimi “Maqedonia Sllavo-Shqiptare” do të ishte i papranueshëm për palën maqedonase, që nuk do të lejonte në asnjë mënyrë që emërtimi “shqiptare” të jetë në kuadër emrit të ri të Maqedonisë. Gjithashtu, nuk do të ishte i pranueshëm as për palën shqiptare, e cila në asnjë mënyrë nuk do të lejojë identifikimin e shtetit me maqedonasit sllavë”, thotë analisti Sefer Tahiri.

Analistët e cilësojnë të pasinqertë këtë variant, duke thënë se qëllimi I autorit të tij është vetëm të dobësojë qëndrimin e palës kundërshtare në negociatat lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë.

“Nëse gjykojmë në aspektin politik, nuk është se tingëllon si diçka serioze, prandaj konsideroj se duhet ta lëmë menjanë dhe njerëzit të fillojnë të mendojnë se çfarë në të vërtetë po ndodh rreth kontestit të emrit të Maqedonisë”, thotë politologu Ismail Sinani.

Nga partia shqiptare në qeverinë e Shkupit, BDI, thanë se nuk ka asnjë propozim zyrtar për emërtimin e vendit “Maqedonia Sllavo-Shqiptare”.

Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani tha se nuk mund të bëjë asnjë koment për një variant i cili është përmendur vetëm në media. Ai më tej sqaroi se deklarata e botuar në shtypin maqedonas, se BDI është kundër këtij emërtimi, është keqinterpretuar.

Ndërkohë, Athina zyrtare duket se nuk konfirmon tani për tani lajmin që publikoi gazeta “Dnevnik” e Shkupit, sipas të cilës përfaqësuesi grek në negociatat midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për çështjen e emrit ka hedhur në tryezën e bisedimeve të fundit në Nju Jork emrin “Maqedonia Sllavo-Shqiptare”.

Gazeta greke “To Ethnos” e së mërkurës shkruan se e vërteta është, se emri Maqedonia Sllavo-Shqiptare ishte përmendur në vizitën e fundit të zotit Nemetz në Athinë, në bisedimet që kishte me ministrin e Jashtëm Evangjelos Venizelos, më shumë për të shpjeguar kompleksitetin e problemit sesa si një propozim konkret. / Top Channel