Home LAJME Albin Kurti: Ramushi ka çmim, Isa ka frikë, VV ka alternativë!

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për emisionin Rubikon të KTV – së ka deklaruar se organizata e tij politike është e përgatitur për këto zgjedhje dhe, sic është shprehur Kurti, rezultatin pozitiv në zgjedhjet e datës 3 nëntor janë të përgatitur edhe ta mbrojnë votën.
“Dalja masive është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e votës dhe është dëshmi se qytetarët e Kosovës dëshirojnë ndryshime. Nëse dalja në zgjedhje është e ulët, atëherë kjo është dëshmi për të kundërtën, pra se nuk do të kemi ndryshime. Dhe kjo është për të ardhur keq për shkak se kjo keq qeverisje, ky sundim, nëse vazhdon edhe për katër vjet kështu vendi i jonë do të bëhet gjithnjë e më i pa jetueshëm, sic po e tregojnë burgjet dhe kampet në Hungari apo tendat nën ura në periferi të Lionit”, ka deklaruar Kurti.
“Republika e Kushtetutës së Kacanikut ishte republika e parë, e cila fillimisht u shpall me 2 korrik të vitit 1990. Ajo ishte republikë për ekzistencë. Me 17 shkurt të vitit 2008 fituam këtë republikën le të themi të Ahtisarit, e cila doli tash republikë për shitje për shkak të privatizimit të egër neoliberal, për shkak të pazareve të vazhdueshme me Serbinë del se ne kemi nevojë për një republikë të tretë, republikë për zhvillim, për mirëqenie, republikë për bashkim, republikë me sovranitet të plotë, me integritet territorial dhe është një shans i mirë që i kemi këto zgjedhje për të parë ndryshimin”, është shprehur Kurti i cili ka potencuar edhe shfrytëzimin e të drejtës për bashkimin Kosovës me Shqipërinë.
Ai ka veçuar edhe disa fenomene negative në qeverisjen lokale, sic është nepotizmi.
“Në perëndim dihet që biznesmenët hyjnë në politikë, por në Kosovë, politikanët po bëhen biznesmenë dhe kjo duhet të ndërpritet. Dhe kur po e them politikanët po bëhen biznesmenë, ata këtë e bëjnë bashkë me vëllezërit e familjarët e tyre po themelojnë firma që i fitojnë tenderët e komunave”, ka thënë Kurti transmeton Almakos.com.
Ai ka prezantuar edhe disa pika të programit të Vetëvendosjes, duke përmendur kriterin e Bashkimit Evropian që një vend pune në administratë të shërbejë për 620 banorë gjë që do ta shmangte numrin e lartë të të punësuarve.
Kurti është treguar kritik edhe ndaj partive opozitare në Kosovë.
“Edhe tek rasti i AAK’së, para një viti kur ia shtroi qilimin e kuq (Thaçi – Haradinajt), Haradinaj tha “po”, AAK-ja është mall që e ka çmimin. Çmimi është kryeministria. PDK’ja ia morri “mallin” e nuk ia dha “paratë”. E sot p.sh, AAK – ja po ia shton çmimin politik PDK’së. Pse? Sepse për stemën dhe simbolet AAK-ja hoqi dorë para PDK’së. U dëshmua edhe në seancën e sotme të kuvendit se ne i kemi numrat që ta rrëzojmë qeverinë. Pse nuk po e rrëzojmë? Lëvizja Vetëvendosje është për rrëzimin e kësaj qeverie, por nuk kemi hasur në mirëkuptimin e kësaj opozite”, ka deklaruar Kurti.
Nga ana tjetër, është shprehur lideri i Vetëvendosjes, LDK-ja me liderin e saj Isa Mustafa nuk është në gjendje një garazhë të PDK’së që ta heq.
Madje, Kurti ka thënë se ka qenë pikërisht kandidatura e Shpend Ahmetit nga radhët e VV’së ajo që e ka detyruar LDK’në të garojë sërish me liderin e vet, Isa Mustafën, e jo me nënkryetarin Abdullah Hoti që do tia hapte rrugën Isa Mustafës për ta realizuar ambicien e tij për kryeministër.
“Ka qenë garimi i Shpend Ahmetit ai i cili e ka hedhur në panik komplet LDK’në dhe unë kam frikë se nga kjo panikë e LDK’së, ajo do të vazhdojë të afrohet me PDK’në. Sepse veprimet në panik, janë veprime për mbijetesë, gjë që është keq edhe për krejt Kosovën”, ka theksuar Kurti.
Ai është shprehur optimist se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë në Komunën e Prishtinës me kandidatin Shpend Ahmeti i cili, siç ka thënë Kurti, edhe po të mos ishte kandidat i Vetëvendosjes do të ishte kandidati më i mirë. Po ashtu Kurti është shprehur se pret rezultate të mira në Gjilan, Junik, Fushë Kosovë dhe Gjakovë.
“Po shihet që LDK’ja dhe AAK janë në garë se kush t’i bashkohet PDK’së. LDK’ja frikësohet se mos AAK’ja po shkon me PDK’në, njëjtë frikësohet edhe AAK. Prandaj qytetarët e kanë lëvizjen Vetëvendosje në njërën anë dhe keni partitë tjera në anën tjetër që janë bërë bashkë për ta ndarë pushtetin”, është shprehur Kurti.
Por, Albin Kurti ka thënë se e vetmja gjë që mund ta pengojë fitoren e Vetëvendosjes është dalja e ulët e qytetarëve, e jo aleancat ndërpartiake, pasi që indiferenca e votuesve është armiku më i madh i ndryshimeve./Almakos