Home LAJME Aeroplanë amerikanë kanë hyrë në zonën mbrojtëse kineze

Ushtria amerikane ka dërguar dje për një mision fluturimi dy aeroplanë të paarmatosur B-52 në hapësirën ajrore mbi ishujt e debatueshëm në Detin e Kinës Lindore, duke sfiduar një përpjekje nga Kina për të marrë kontrollin e territorit nga Japonia.

Pentagoni bëri të ditur se fluturimet e kryera dje nuk shkaktuan një përgjigje nga Pekini, i cili dy ditë më parë e kishte deklaruar këtë pjesë të hapësirës një zone të re të mbrojtjes ajrore.

Kina paralajmëroi se të gjithë avionët para se të hyjnë në këtë zonë duhet të identifikojnë veten e tyre dhe të zbatojnë të gjitha urdhërat e Pekinit.

Kina të shtunën publikoi koordinatat për të ashtuquajturën Zona Ajrore e Identifikimit mbi Detin e Kinës Lindore dhe paralajmëroi se do të marrë masa emergjente të mbrojtjes për të zbatuar pretendimet e saj.

Shtëpia e Bardhë dje i bëri thirrje Pekinit të zgjidh mosmarrëveshjen detare me Tokion, pa përdorur “kërcënimet ose gjuhën luftënxitëse.”

Fluturimet mbi ishujt e pabanuar që në Kinë njihen si Diaoju dhe që Japonia i quan ishujt Senkaku, ndodhin një javë para vizitës së planifikuar njëjavore të nënpresidentit amerikan Xho Bajden në Pekin dhe në vendet e rajonit të Azi-Paqësorit.