Home LAJME Ademi nuk tërhiqet: Testi ekstern i nevojitet arsimit të lartë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi shpreh vendosmërinë e tij dhe të institucionit për zbatimin e modelit të testit ekstern në arsimin e lartë.

Në emisionin “360 Gradë” në Alsat-M, që do të emitohet sonte, Ademi thotë se testi ekstern është ende një ide dhe se për propozimin përfundimtar do të hapet një debat i gjerë në publik.

Ai sqaron se, testi ekstern nuk do të vlejë për studentët aktualë, por vetëm për ata studentë që do të regjistrohen për herë të parë në vitin akademik 2015-2016.

-Nuk do të tërhiqemi nga provimi shtetëror, sepse konsiderojmë se i nevojitet arsimit të lartë. Atë që do ta propozojmë sigurisht se do ta diskutojmë me të gjitha palët e tanguara në çdo universitet, kuptohet edhe në debate publike dhe emisione, me qëllim që të dalim me një koncept dhe model të pranueshëm, i cili në radhë të parë nuk do të cenojë autonominë e universiteteve, nuk do të cenojë Procesin e Bolonjës, nuk do të jetë ngarkesë për universitet, fakultetet dhe studentët dhe nuk do të ketë efekt retroaktiv, pra për studentët aktual, por për ata që do të regjistrohen në vitin e ardhshëm akademik, tha Ademi.

Ndërkohë, organizata studentore “Plenumi i Studentëve” ka paralajmëruar protesta të reja në rast se MASH dhe Qeveria nuk tërhiqen nga ideja e testit ekstern.