Home LAJME A mund të jenë shqiptarë ata që dëmtojnë kaq rëndë arsimin tonë?

Pse na godasin prapë, pikërisht tek arsimi, sikur se dje, e pardje gjatë ish-sistemit monist. Pse, pikërisht aty, dhe pse pikërisht me njerëzit tanë, në krye të këtyre dikastereve ministrore. Pardje, dje e sot, po bëjnë po të njëjtat gabime, po bëjnë po të NJËJTIN KRIM NDAJ ARSIMIT SHQIP.

Problemet e shumta në arsimin fillor dhe të mesëm të Kumanovës, duke filluar nga shkolla fillore “Toli Zordumis”, ku diskriminimi fillon nga trajtimi me dy kute, kuptohet njëri për nxënësit maqedonas dhe tjetri për ata shqiptarë. Pastaj, ecejaket absurde andej-këndej (kujt si t’i teket) me godinën e Gjimnazit…, të cilën si duket e kanë shndërruar më shumë në mundësi biznesi, se sa në mundësi edukimi e arsimimi. Njëlloj situata është edhe me shkollat e mesme në Shkup, si rasti i fundit me shkollën “Arsenije Jovkov”. Të njëjtat halle kanë, ekskluzivisht qendrat shkollore shqiptare të mesme dhe fillore, në Tetovë, Strugë, e gjetiu…

Pse dhe pse, prapë heshtim? Në cilën çarje të injorancës tonë kolektive, po zhbirohet “guximi” i politikanëve injorantë shqiptarë, që marrin poste udhëheqëse dhe nuk orvaten për zgjidhjen e këtyre problemeve madhore të shqiptarëve, që kanë ‘siglën’ e rëndësisë jetike. Prej nga rrjedh gjithë ky komoditet i tyre dhe pse nuk kanë frikë nga përgjegjësia eventuale. Pse ndihen kaq të fuqishëm (kuptohet për të mos i zgjidhur problemet) dhe kaq komod, sa të mos zgjidhin edhe problemet fundamentale shqiptare në arsim, që garantohen me ligj e kushtetutë.

Pse asnjëherë nuk e parashtrojmë pyetjen se: A mund të jenë shqiptarë (edhe pse deklarohen), ata funksionarë që i bëjnë dëm kaq shumë arsimit shqip? Përfundimisht, jo. Ata janë shumë më të rrezikshëm se armiqtë e shqiptarëve, sepse si njohës të gjuhës shqipe, mbledhin votat e shqiptarëve duke përdorë fjalë të mëdha, e më pas ua çojnë ‘bakshish’ në një thes kundërshtarëve tanë.

A guxojmë ta lëmë fatin e arsimit shqip në dorën e dikujt, që nuk e kanë dashur as si mësues katundi në vendlindjen e tij? Pse nuk ndalemi njëherë t’ua vlerësojmë punët, siç vepron mbarë bota e civilizuar, por ua dëgjojmë vetëm fjalë (që i bart era)?

Sepse, këtë dëm të madh arsimit shqip po ia bëjnë, pikërisht ata të cilët vetë ne i votojmë dhe asnjëherë s’ju kërkojmë përgjegjësi, për këtë gjëmë që ia shkaktojnë rinisë shqiptare. Çfarë të keqe më të madhe duhet të bëjnë këta, që ne më në fund të kthjellohemi, të na dal kllapia e rëndë që po na pllakos me vite, dekada…

A ka njeri, intelektualë, qytetarë ose studentë…, që di dhe ka guxim t’i kërkojë përgjegjësi këtyre injorantëve që kanë kapur majat e pushtetit pikërisht duke u servilosur dhe duke blerë diploma me lekë.

A ka pyetur dikush ndonjëherë, nëse e gjithë kjo bëhet rastësisht?! Unë, personalisht s’e besoj.

Sepse, edhe sot, sikurse dje, përdoren metodat, format dhe mënyrat, e njëjta ndaj arsimit shqip. Të diskriminuar dje, sot, me të njëjtën shkallë diskriminimi: 1 paralele maqedonase me 10-15 nxënës, 1 paralele shqiptare me 35-40 nxënës!

Të gjithë e dinë këtë diskriminim, dhe jo vetëm këtë, por politikanët tanë në pushtet prapë heshtin. Pse kjo heshtje, nga kush kanë frikë ata që nuk i zgjidhin problemet, kur janë pjesë e qeverisë, ministra dikasteresh si puna e Abdilaqim Ademit, bile edhe e të tjerëve.