Home LAJME 17 vjeçari nga Maqedonia barrikadohet në klasë dhe kërcënon personelin e shkollës...

1-1132

Një nxënës 17 vjeçar me prejardhje nga Maqedonia ka disa muaj që është bërë tmerri dhe lemeria e nxënësve dhe mësuesve në një shkollë të Schaffhausen-it. Ai është bërë i njohur për sharjet dhe kërcënimet që u ka bërë mësuesve dhe nxënësve, për thikën që ka marrë me vete në shkollë etj.
Pastaj, ky nxënës ka këmbëngulur që t`i sigurohej hapësirë për të kryer ritin mysliman të faljes në shkollë, gjë që fillimisht i është lejuar, shkruan schaffhausernachtrrichten.ch. Pas kësaj janë paraqitur edhe nxënës të tjerë që e kanë kërkuar të njëjtën gjë dhe problemi me kohë është përshkallëzuar, duke u shndërruar edhe në mollë sherri në mes të partive në të cilat bëjnë pjesë mësimdhënësit e kësaj shkolle, transmeton albinfo.ch.
Një përfaqësues i SVP-së ka bërë një denoncim, pas të cilit në këtë konflikt është inkuadruar edhe policia. Një pjesë e mësimdhënësve, përfshirë këtu edhe drejtoreshën (nga Partia Socialdemokrate) i janë vënë në mbrojtje nxënësit duke e identifikuar si “viktimë të mobingut”, ndërsa SVP-në duke e akuzuar si nxitëse e urrejtjes ndaj të huajve dhe përfituese politike nga e gjithë kjo.

Pasi që pas shumë “ngreh e mos këputjesh“, nxënësi problematik ishte përjashtuar nga shkolla, por hija e tij e rëndë kishte mbetur bashkë me frikën se ai do të vinte sërish…

Dhe, ai vërtet kishte ardhur! Kjo ka ndodhur të enjten, përkundër ndalesës që ka për të hyrë edhe në oborrin e shkollës. Ka ardhur, ka sharë shkollën dhe është sjellë me zë të lartë e në mënyrë agresive, aq sa është alarmuar edhe policia. Ajo që ka ndodhur në vazhdim, ka tmerruar nxënësit dhe personelin e shkollës: ish nxënësi ka hyrë në një klasë të shkollës dhe është ngujuar aty. Ai kishte bërtitur: “Ju ma keni shkatërruar jetën! Do të ju vras të gjithë!” Kështu thonë nxënësit, të pyetur nga gazeta e përmendur. Mirëpo, ata thonë se nuk e kanë dëgjuar drejtpërdrejt këtë por këtë ua ka thënë mësimdhënësi i tyre ndërsa fjalët kërcënuese i ishin drejtuar një mësimdhënësi tjetër.

Sidoqoftë, nxënësit pas kësaj janë mbyllur në klasa, i kanë mbyllur dyert dhe dritaret nga frika. “Ne kishim frikë, nuk dinim se çfarë do të ndodhte” thotë një nxënës. Para shkollës ishin rreshtuar policët e helmeta dhe me parzmore antiplumb ndërsa nxënësit u kishin dërguar mesazhe telefonike familjarëve.

Ngujimi i nxënësve ka zgjatur rreth 45 minuta.

Por nëse ish nxënësi kishte shqiptuar vërtet kërcënimet me vdekje, përgjegjësi i këshillit të shkollës thotë se nuk di gjë. Sipas tij, ai kishte thënë vetëm: “Ju më keni thërmuar, shkolla është fajtore për të gjitha”. Pastaj ai e kishte fyer mësuesin i cili i ishte drejtuar. Më tutje ai e ka kontaktuar babanë e të riut dhe ia ka tërhequr vërejtjen për sjelljen e të birit. Policia i ka marrë në pyetje më vonë babë e bir. Por përgjegjësi nënvizon se nxënësi nuk ka pasur armë me vete dhe as nuk ka dhënë shenja se mund të ushtronte dhunë. Ndërsa më parë, deri sa ende ishte nxënës i kësaj shkolle, ai kishte parakaluar me thikë në shkollë dhe kishte kërcënuar se do të therte mësimdhënësit.